Afganistan, vritet se dogji Kuranin. Aktivistet e të drejtave të njeriut kërkojnë hetim

22/03/2015 00:00

Videoja e vrasjes brutale me gurë e me shkelma, të një gruaje me aftësi të kufizuara në Afganistan ka shokuar mbarë botën. Viktima, trupi i së cilës, më pas u dogj e hodh në lumë, akuzohej se kishte shkatërruar një kopje të Kuranit. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, në qendër të Kabulit.

Dhjetëra gra, aktiviste për të drejtat e njeriut, nëna e vajza kërkuan që të mbanin arkivolin e viktimës, e cila u varros të dielën në mëngjes. “Sot ishte ajo, nesër mund të na ndodhi neve”, u shprehën ato.

Lidhur me incidentin, që mallëngjeu dhe ndau në dysh shoqërinë afgane, reagoi edhe presidenti Ashraf Ghani, i cili të shtunën, para se të nisej për në Shtetet e Bashkuara, njoftoi ngritjen e një komisioni hetimor të nivelit të lartë, të formuar nga juristë, studiues të Islamit, eksponentë të lëvizjeve feministe dhe gazetare.

Siç pohoi ai, komsioni do të hetojë incidentin në mënyrën e përshtatshme, duke mbajtur në konsideratë ligjet afgane. Raporti i komisionit do t’i dorëzohet presidentit.

Edhe pse gratë në Afganistan vazhdojnë të jenë të shtypura, edhe pas rënies së regjimit të talebanëve, sulme të tilla publike, sidomos në kryeqytet, mbeten të pazakonta. Aktiviste për të drejtat e grave kanë shënuar fitore të konsiderueshme, që prej rrëzimit të talebanëve në 2001-shin, të cilët mbështesnin një interpretim të ashpër të Islamit.

Gjithsesi, analistët janë të shqetësuar se progresi rrezikohet nga dhuna mjaft e përhapur kundër grave, dhe fakti se ato mbeten të papërfaqësuara në politikë dhe jetën publike.

Top Channel