Rama përuron hapjen e Muzeut Arkeologjik: Qasje të re ndaj trashëgimisë kulturore

21/03/2015 00:00

Kryeministri Rama mori pjesë në përurimin e rindërtimit hapjes të Muzeut Arkeologjik të qytetit të Durresit, duke i dhënë fund, siç tha ai, përurimeve boshe që janë bërë e ribërë disa herë në 13 apo 14 vitet e fundit.

“Më e bukura është që pasi u dha edhe fondi më i madh që është dhënë ndonjëherë për muzeun, rreth 1 milion dollarë në mos gabohem, muzeu u mbyll dhe u shpenzuan 1 milion dollarë për ta mbajtur katër vjet mbyllur”, tha Rama.

Përballë një institucioni të lënë tërësisht në harresë, tha kryeminstri, u desh realizimi i një projekti të ri serioz dhe profesional.

“Ajo që na u desh të bënim ishte të rimerrnim në dorë fatin e muzeut dhe të rikonceptonim nga e para të gjithë projektin, duke përfshirë edhe mjediset të cilat ishin lënë plotësisht jashtë dore”, shtoi kryeministri.

Ndërkohë, sipas zotit Rama muzeu do të jetë pjesë e një zinxhiri projektesh që do ta rrethojnë duke i dhënë mundësi të tjera të reja të gjithë kësaj zone duke filluar nga Kodra e Currilave deri tek Amfiteatri.

“Do të vazhdojmë me fazën tjetër për Amfiteatrin ku do të çlirojmë arenën nga ndërtimet me dhe pa leje brenda saj dhe do t’ua kthejmë atë qytetarëve dhe vizitorëve”, deklaroi Rama.

Pas muzeut kryeministri i shoqëruar nga ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe kreu i bashkisë, Vangjush Dako ka inspektuar edhe përfundimin e fazës së parë të punimeve për rehabilitimin e Kodrës së Currilave në Durrës.

Lefter Koka, Ministër i Mjedisit: Besoj është një model për të besuar që edhe një zonë e cila kishte humbur çdo shpresë mund të transformohet në një lulishte, sot do ta konsideroja një peizash natyror i përkryer.

Kryeministri Rama: Do të jetë vërtetë një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që do të shfrytëzojnë vijën e shëtitjes në ajër të pastër, një vijë që synojmë ta zgjasim dhe ta çojmë deri tek Kodra e Vilës për t’u dhënë qytetarëve të Durrësit më shumë se një kilometër shëtitore të re.

Kryeministri e vuri theksin edhe tek fakti se vetëm në vitin e parë të qeverisjes është kapur kuota e mëse 2.5 milionë fidaneve të mbjella, si një betejë tha ai, për të mbyllur një plagë 20-vjeçare që ka shkatërruar pyjet.

Top Channel