Durrës, alarm fals për bombë në gjimnazin “Naim Frashëri”

20/03/2015 00:00

Një tjetër alarm fals për vendosje eksplozivi në një shkollë ka vënë në lëvizje Policinë e Durrësit dhe specialistët e njësisë antieksploziv.

Alarmi u dha mëngjesin e sotëm në qytetin bregdetar, para nisjes së procesit mësimor. Me të marrë njoftimin se në derën e shkollës së mesme “Naim Frashëri” ndodhej një pako e dyshimtë me një celular mbi të, forcat lokale të policisë kanë bërë rrethimin e zonës për të mbajtur larg nxënësit dhe mësuesit e saj.

Nga verifikimi i kryer nga specialistët antieksploziv, rezultoi se në pako nuk kishte lëndë plasëse. Brenda kësaj jave ky është alarmi i dytë fals për vendosje bombe në shkollat e mesme të qytetit të Durrësit, ndërsa natën e kaluar një tjetër alarm fals u regjistrua në qytetin e Fushë-Krujës, pas njoftimit për praninë e një çante të dyshimtë të braktisur në rrugë.

Për këto raste policia lokale po punon me intensitet për të zbuluar autorët e ngjarjeve që po cënojnë sigurinë në komunitet përmes akteve që përhapin panik dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

FOTO GALERI
1/12
Durrës, alarm për bombë

Top Channel