Çështja “Doshi” është në qendër të agjendës dhe aktivitetit politik të opozitës, si brenda ashtu edhe jashtë sallës së Parlamentit. Në prag të zgjedhjeve vendore kjo kauzë ka eklipsuar disi zgjedhjet vendore të 21 Qershorit.
Nën ‘rrogoz’ partitë kanë nisur të lëvizin prej muajsh dhe është çështje ditësh kur në publik, e më pas edhe të zyrtarizuar të dalin emrat nga të dyja kahët. Vëmendja më e madhe natyrisht do të përqendrohet në betejën për Tiranën. Kryeqyteti ka një rëndësi të veçantë për të dyja palët që prej vitit 2000, e sidomos pas procesit të vitit 2011, kur në krye të bashkisë erdhi kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Para këtij procesi është e nevojshme një analizë për mënyrën se si është qeverisur Tirana në katër vitet e Bashës. A i mbajti ai premtimet me të cilat fitoi katër vite më parë? Sa prej këtyre premtimeve janë realizuar dhe sa jo?
Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu përgjigjën të ftuarit në takimin e kësaj të enjteje në “Top Story” me Sokol Ballën: Taulant Balla nga Partia Socialiste, Enkelejd Alibeaj nga Partia Demokratike, analisti Mustafa Nano, Flamur Kuçi, arkitekt i fushatës së Lulzim Bashës në vitin 2011 dhe sot një prej kundërshtarëve më të fortë të tij, si dhe Belina Budini, pedagoge.
I pari që mori fjalën ishte deputeti socialist, Taulant Balla. Ai u ndal te disa vendime të Bashkisë, që sipas tij, ngushtojnë hapësirat e gjelbërta në kundërshtim me premtimet e kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha. Balla tha se Basha për asnjë ditë nuk ka qenë kryetar i Bashkisë, por ka ndjekur axhendën e tij politike në PD.
Për Enkelejd Alibeaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, “mandati i Bashkisë së Tiranës gjithmonë është pikturuar me ngjyra të forta politike”.
“Për Bashkinë e Tiranës bëhet një luftë e pastër politike. Administrimi i Bashës është goditur fort, është penguar çdo gjë dhe mund të themi se mandati i Bashës zgjati vetëm 1 vit e gjysmë. Kur nuk ke instrumenta, nuk ke çfarë flet për administrim lokal. Basha është parë si armik nga Partia Socialiste. Ai ishte i zgjedhuri si administrator i Tiranës nga banorët e Tiranës dhe duheshin respektuar të paktën këta banorë”, u shpreh zoti Alibeaj.
Ndërsa Taulant Balla, deputet i Partisë Socialiste është i mendimit se kryebashkiaku Basha i ka pasur të gjitha mundësitë për të punuar mirë, por nuk ka bërë asgjë për kryeqytetin.
“Në momentin që mori mandatin për Tiranën, Basha i kishte të gjitha komoditetet e mundshme, ndryshe nga Edi Rama. Të gjithë e kemi parë si ka punuar Rama si kryebashkiak dhe si ka punuar Basha. Basha thonte se Tirana nuk ka fusha sportive, por e dimë se ku e çoi kompleksin “Dinamo”; Basha thonte se kishte shumë trafik në Tiranë, tani është bërë më keq se ç’ishte”, tha deputeti socialist.
Belina Budini nënvizoi se problemi i Lulzim Bashës ishte se nuk i reklamonte si duhej punët e vogla si kryetar bashkie: “Komunikimi i Ramës si kryetar bashkie ishte i përqendruar në propagandë dhe kjo gjë i ka munguar Bashës, i cili punët e vogla i ka lënë në hije, ndryshe nga Rama.”
Analisti Mustafa Nano vuri në dukje se Lulzim Basha dhe Edi Rama bënë të njëjtin gabim: nuk lanë detyrën si kryebashkiakë kur u bënë kryetarë bashkie: “Kryetari i Bashkisë premton qeverisjen e qytetit dhe votuesit e votojnë vetëm për atë, nuk ka pse të anashkalojë detyrën se është kryetar partie. Basha dhe Rama në momentin që u bënë kryetarë partie, nuk e lanë Bashkinë. Kjo është një praktikë shqiptare e gabuar.”
Në pjesën e dytë përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, përkundër atyre që u deklaruan prej deputeti socialist, Taulant Balla renditi mes premtimeve të mbajtura prej Lulzim Bashës uljen e taksave për bizneset, bllokimin e përkohshëm të lejeve të ndërtimit dhe rritjen e hapësirave të publike.
Taulant Balla u ndal tek reforma administrative. Ai tha se ligji i ri i jep kryetarëve të 61 njësive vendore kompetenca më të zgjeruar.
Flamur Kuçi, arkitekti i fushatës së Lulzim Bashës në 2011 tha se nuk është mbajtur asnjë premtim i fushatës. Ai kërkoi që PD t’u kërkojë njëherë falje qytetarëve për këtë e më pas të rikandidojë.
“Jemi 3 muaj larg zgjedhjeve lokale dhe nuk mund të gënjejme opinionin publik të themi për një mandat. Nuk e nisëm mandatin me idenë e ndërtimit të tramvajit në Tiranë dhe ta përfundonim me grevën e autobusëve, ta nisim me shtimin e hapësirave të gjelbërta dhe ta përfundojmë me një shpërthim ndërtimesh. Mandati i Bashës për mua ngjason shumë mandatin të fundit dhe të parafundit të Ramës; neglizhim total i qytetit. Prevaloi axhenda politike; unë sundoj partinë dhe varja qytetit. Kjo e dëmtoi. Tirana nuk është qytet i thjeshtë, është kompleks dhe nuk e ka luksin që të mos administrohet mirë. Tirana ka probleme bazike në infrastrukturë, si asnjë kryeqytet tjetër në rajon. Unë mendoj që në diskutim nuk është mandati i PD, është mandati i Bashës, që nëse do të jetë i besueshëm duhet të bëjë së pari një ‘mea culpa”- tha Kuçi.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi u shpreh se të majtët kanë ecur me parimin për të mos i bllokuar buxhetin Bashës.
“Gjithë historia nis nga premtimi i Bashës që do ta nxjerrë bashkinë nga axhenda politike dhe se do të jetë një kryebashkiak i qytetarëve. Basha nuk ka thënë ndonjëherë që Këshilli Bashkiak i ka bllokuar buxhetin. Asnjëherë! Ne kemi votuar pro buxhetit me parimin që t’ja japim kryetarit të bashkisë dhe administratës për ta menaxhuar dhe gjykimin se si janë shpenzuar këto buxhete, atë e vendosin qytetarët në votim”, tha ai.
Por a është modeli i duhur i kryebashkiakut ai që jep Lulzim Basha kryetar bashkie dhe kryetar partie, ashtu si Rama në dy mandatet e fundit, apo qytetit i duhet një administrator, një menaxher i mirë, qoftë i dalë edhe nga politika?
Për pedagogen Belina Budini rasti ideal do të ishte një administrator i mirë.
Flamur Kuçi tha se Tiranës i duhet një kryetar që të ketë aftësi menaxhimi dhe administrimi.
“Në menaxhimi e 8-10 viteve të fundit, Bashës dhe Ramës bashkë u ka interesuar ngjitja personale politike në dëm të interesit publik dhe jemi këtu sot. Deri më tani kemi pasur profilin të dikujt që nuk e ka menaxhuar siç duhet këtë qytet. Unë mendoj që në PD ka kapacitete dhe vullnete për të patur një ofertë të mirë për Tiranën”, tha Kuçi.
Top Channel