Raporti i DASH: Shqipëria, vendburim i rëndësishëm marijuane

19/03/2015 00:00

Në raportin e përvitshëm të Departamentit amerikan të Shtetit për luftën kundër drogës në botë, që iu dorëzua Kongresit të mërkurën, Shqipëria cilësohet si një vend që shërben si burim i rëndësishëm marijuane dhe si një pikë nga transportohet heroina dhe kokaina e destinuar për tregjet europiane.

Sipas edicionit online të “Zërit të Amerikës”, në raport thuhet se sasia e drogës së kapur dhe numri i arrestimeve u rritën ndjeshëm gjatë vitit 2014.

Kjo u arrit si rezultat i shtimit të bashkëpunimit të Shqipërisë me partnerët rajonalë, veçanërisht me policinë italiane, si dhe rritjes së angazhimit për të luftuar prodhimin e drogës dhe trafikimin e saj nga autoritetet politike dhe ato të rendit të Shqipërisë, që çuan në rritjen e madhe të operacioneve në mbarë vendin, thotë më tej raporti.

Sipas dokumentit zyrtar, me përjashtim të marijuanës, Shqipëria nuk është një vend prodhues i rëndësishëm drogash apo lëndësh për përftimin e tyre dhe as i drogave sintetike.

Një vërejtje që përmban raporti është se, Qeveria e Shqipërisë nuk mban statistika për përdorimin e drogave. “Me përjashtim të marijuanës, përdorimi i drogave të tjera nuk duket se është diçka e përhapur”, thotë dokumenti.

Duke cituar të dhënat e policisë shqiptare, DASH shton se, sasia e marijuanës së kapur në nëntë muajt e parë të vitit 2014 ishte 101.7 tonë, një rritje e ndjeshme  nga sasia e përgjithshme prej 96 tonësh të kapura nga viti 2005 deri në vitin 2013.

“Në mbarë vendin u shkatërruan 530 mijë e 177 bimë marijuane në 2214 parcela individuale. Shumica e parcelave të mbjella ishin identifikuar nga autoritetet italiane. Policia shqiptare po ashtu ka kapur 63 kg. heroinë dhe 23 kg. kokainë”, thuhet në raport.

Gjatë së njejtës periudhë 9-mujore të raportuar, policia arrestoi 1058 persona për shkelje që lidhen me trafikimin e drogave, duke kaluar numrin total të të arrestuarve për 2013 që ishte 803.

Shqipëria ka bashkëpunuar me autoritetet europiane dhe ato të Amerikës së Jugut për të kapur 250 kg. kokainë në portin e Barit në Mal të Zi, që kishte si destinacion Shqipërinë, për t’u transportuar më pas në Europë.

“Shqipëria vazhdon të marrë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian për të përmirësuar aftësitë e saj në luftën kundër drogës”, përfundon raporti i Departamentit të Shtetit.

Top Channel