“Mbronte” kushërirën, kanosi një të ri. Çështja përfundon në Gjykatë

19/03/2015 00:00

Prokuroria për Krimet e Rënda përfundoi hetimin dhe dërgoi për gjykim
çështjen ndaj Koxha Ismailaj, nga Berati, i akuzuar për veprën penale të
“shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Ismailaj ka ndodhur në gusht 2014, kur i akuzuari ka kërcënuar shtetasin R.N se duhet t’i jepte 1 mijë euro, në të kundërt “do t’i fuste plumbin kokës”.

Por si kishte rrjedhur kjo ngjarje?

Më datë 18 gusht 2014, rreth orës 22.30, është paraqitur në Drejtorinë e Policisë në Berat, shtetasi R.N., i cili ka kallëzuar veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë ”. Ai akuzonte shtetasin Koxha Ismailaj, i cili e kishte kërcënuar duke i kërkuar shumën prej 1000 euro. Në rast se i dëmtuari nuk ia jepte shumën e kërkuar, ai do ta vriste.

Për këtë problem, i dëmtuari ka biseduar më shtetasin V.S., i cili kishte njohje me të dy palët; si të dëmtuarin, edhe me të dyshuarin.

Sipas tij, i pandehuri Koxha ia kërkonte këtë shumë të dëmtuarit si shpërblim pasi i dëmtuari, sipas të dyshuarit kishte marrëdhënie intime me një kushërirë të të dyshuarit. I dëmtuari ka biseduar edhe me një punonjës të lokalit të tij të quajtur E.S., të cilit ia ka shpjeguar problemin që kishte dhe, së bashku, kanë shkuar për të takuar të dyshuarin Koxha.

Ata janë takuar më datë 18.08.2014 rreth orës 21.30 në rrugë, ku i dëmtuari i ka kërkuar shpjegime të dyshuarit se përse i kërkonte 1000 euro. I pandehuri i është përgjigjur se i linte tri ditë kohë, ndryshe do t’i fuste plumbin kokës. I dëmtuari i ka thënë se nuk kishte lindur akoma ai që i vendoste atij gjobë dhe është nisur për t’u larguar. Në atë moment i pandehuri ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur të dëmtuarin, i cili është mbrojtur, por ka marrë vetëm një plagë në krahun e majtë. Menjëherë, i dëmtuari është drejtuar për në polici, ku dhe ka bërë kallëzimin përkatës.

Oficerët e Policisë Gjyqësore i kanë marrë kallëzimin me shkrim të dëmtuarit dhe kanë pyetur edhe personat që ai i përmendi në kallëzim, si dhe kanë marrë vendim për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor lidhur me dëmtimet që i ishin shkaktuar atij.  Kështu, është arrestuar Koxha Ismailaj,  si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, të parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal. Ndaj tij, me vendimin nr. 411 datë 21. 08.2014 Gjykata ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg”.

 

Top Channel