Lushnjë, arrest me burg nënës që akuzohet se mbyti të birin

19/03/2015 00:00

Gjykata e Lushnjës dha masën e sigurisë arrest me burg për Hatixhe
Ahmetin, gruan e cila pak ditë më parë akuzohet se vrau djalin e saj, në
shtëpinë ku banonin.

Gjykata nuk mori parasysh rrethanat e vrasjes dhe moshën e autores së kësaj ngjarje të rëndë.

Krimi ndodhi në mesnatën e 15 marsit, në banesën e familjes Ahmeti. Ngjarja e rëndë nxorri në pah një histori tragjike mes një të moshuare dhe djalit të saj 40-vjeçar, të cilit i mori jetën duke e mbytur me litar mesnatën e së dielës teksa ai ishte në agoni si pasojë e mbidozës së drogës. Pasi e ka vrarë, 70-vjeçarja e ka mbajtur të vdekur për 14 orë në shtëpi, derisa aty kanë mbërritur oficerë të policisë kriminale të njoftuar nga kunata e viktimës.

Ka qenë një konflikt i vazhdueshëm mes 40-vjeçarit Pëllumb Ahmeti dhe nënës së tij, që ka çuar në vendimmarrjen e kësaj të fundit për t’i dhënë fund jetës së të birit. Viktima e kishte dhunuar për vite me radhë të ëmën, pasi ai nën efektin e lëndëve narkotike dhe të pijeve alkoolike e humbiste kontrollin. Madje, fqinjët hamendësojnë se dhuna fizike që Pëllumbi ushtronte ndaj të ëmës, nuk ishte i vetmi abuzim që ai kryente ndaj 70-vjeçares, e cila i ka dhënë fund gjithçkaje mesnatën e të dielës kur i biri është kthyer në shtëpi i droguar.

Ngjarja

Nga burime të policisë dhe nga fqinjë të Hatixhe e Pëllumb Ahmetit është mësuar se 40-vjeçari është kthyer në banesë rreth orës 22:30 të dy ditëve më parë. Nëna e tij ishte kthyer nga Italia mesditën e të dielës dhe ka qenë e vetme në shtëpi kur aty ka mbërritur i biri. Nga hetimet paraprake janë ngritur dyshimet se Pëllumbi ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike kur ka mbërritur në shtëpi dhe ka nisur të debatojë me të ëmën dhe ta dhunojë atë. Për shkak të lëndës narkotike ai ka qenë i pafuqishëm dhe është rrëzuar në tokë. Si pasojë është goditur në kokë ku i është shkaktuar një plagë jo e vogël. Më pas Pëllumbi është shtrirë në krevat duke mos reaguar dot si pasojë e lëndës narkotike që kishte marrë. Në këto kushte, dyshohet se 70-vjeçarja Hatixhe Ahmeti ka vendosur t’i japë fund makthit disavjeçar dhe i ka lidhur të birit një litar në qafë me qëllim për ta mbytur. Ajo dyshohet që ta ketë shtrënguar fort litarin rreth qafës së të birit derisa ky i fundit ka ndërruar jetë. Më pas, kur ka qenë e bindur se e kishte vrarë djalin e saj, Hatixhja nuk ka reaguar e nuk ka lajmëruar askënd. Vetëm rreth orës 09:30 të mëngjesit të djeshëm ajo ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar te nusja e djalit të xhaxhait të Pëllumbit dhe i ka treguar se të birin e kishte gjetur të vdekur në mëngjes. Por, nuk i ka treguar për atë që kishte ndodhur. Më pas është kthyer sërish në shtëpi. Ka qenë pikërisht kunata e viktimës ajo që ka lajmëruar policinë për vdekjen e Pëllumbit. Pasi oficerët e policisë kriminale kanë mbërritur në vendngjarje kanë konstatuar se Pëllumbi kishte një plagë në ballë dhe një shenjë rrethore në qafë.

Deklarimet

Fillimisht, 70-vjeçarja Hatixhe Ahmeti nuk e ka pranuar krimin e kryer. Ajo ka pohuar se kur është zgjuar në mëngjes ka parë se i biri nuk po ngrihej nga shtrati dhe kur është afruar, ka konstatuar se ishte i pajetë. Por, pasi policia e ka pyetur për shenjat që i ishin gjetur rreth qafës dhe në ballë të birit, ajo nuk ka ditur të japë shpjegime. Më pas ka pranuar krimin, duke deklaruar se nuk duronte dot më. “Nuk duroja dot më. E bëra se ishte bërë e padurueshme situata në të cilën jetonim. Më dhunonte jo vetëm mua, por të gjithë familjarët e tjerë. Nuk kontrollohej më. Nuk dinte çfarë bënte. Mbrëmë nuk durova dot më dhe bëra atë që bëra”. Kështu është shprehur para hetuesve 70-vjeçarja Hatixhe Ahmeti, pasi e ka kuptuar se nuk mund t’i fshihej më krimit të kryer.
 
Hetimet

Pëllumb Ahmetaj ishte beqar dhe jetonte së bashku me nënën e tij në këtë banesë. Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e viktimës, ka rezultuar se vrasja ka ndodhur gjatë natës. Sipas policisë, midis nënës dhe viktimës ka pasur konflikte në vazhdimësi. Gjithashtu, burimet zyrtare të bluve kanë sqaruar se Pëllumb Ahmeti ka qenë përdorues i rregullt i drogave të forta. Ndërkohë, nga burime të tjera të gazetës është mësuar se 70-vjeçarja Hatixhe Ahmeti e kishte denoncuar rreth dy muaj e gjysmë më parë Pëllumbin për dhunë në familje. Madje ajo kishte përfituar edhe urdhër mbrojtje. Për shkak të konflikteve me të birin, gjatë viteve të fundit 70-vjeçarja ka jetuar pjesën më të madhe të kohës te vajzat e saj në Itali. Por, mësohet se është kthyer mesditën e së dielës, pasi i biri i kishte shitur gati të gjitha orenditë e shtëpisë dhe rrezikonte të shiste edhe banesën.

 Fatkeqësitë e familjes

Ngjarja e djeshme nuk është fatkeqësia e parë e familjes Ahmeti. Rreth shtatë vite më parë ka ndërruar jetë bashkëshorti i Hatixhes, ndërsa para pesë vitesh, vëllai tjetër i Pëllumbit. Ai jetonte e punonte me bashkëshorten e fëmijët e tij në Itali, por ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti. Ndërsa Pëllumbi ishte fejuar rreth tetë vite më parë dhe ishte ndarë. Gjatë 10 viteve të fundit, ai ka nisur të konsumojë lëndë narkotike të llojit të fortë, heroinë, si edhe pije alkoolike. Për këtë arsye, ka nisur të humbasë logjikën dhe të konfliktohet herë pas here me familjarët, kryesisht me të ëmën. Gjatë viteve të fundit, Pëllumbi i ka dhunuar familjarët, pasi u kërkonte në mënyrë të vazhdueshme para dhe shiste orenditë e shtëpisë që i dërgonin motrat herë pas here. Dy motrat e Pëllumbit jetojnë e punojnë në Itali prej vitesh, ku edhe kanë krijuar familje. Sipas fqinjëve të viktimës, familja Ahmeti ka qenë mjaft e rregullt dhe e nderuar, por, sipas tyre, ka qenë Pëllumbi ai i cili nisi të sillte shqetësime për ta.

Top Channel