Francë, kapen në një kamion frigoriferik 22 shqiptarë, tentonin Anglinë

19/03/2015 00:00

22 shqiptarë janë kapur brenda një kamioni frigorifer në përpjekje për të hyrë ilegalisht në Francë.

Lajmi njoftohet nga mediat britanike. Duke cituar policinë franceze, të njëjtat burime thonë se grupi i shqiptarëve nga Shqipëria dhe Kosova ishte strehuar në kamionin nën drejtimin e një shtetasi rumun dhe bashkëshortes së tij.

Ata kanë qendruar për më shumë se 3 orë të mbyllur në temperatura minimale dhe mes tyre ka qenë edhe një fëmijë.

Shtetasi rumun së bashku me bashkëshorten e tij janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur akuza e trafikut të klandestinëve.

Fshehja mes kamionëve me ngarkesa që kalojnë nga Franca drejt Anglisë përmes Tunelit të La Manshit është njëra prej rrugëve kryesore që provojnë klandestinët për të hyrë në Angli. Mes tyre janë edhe me mijëra shqiptarë që rrezikojnë jetën e tyre çdo vit.

Në një rast dy të rinj gjetën vdekjen kur kamioni me të cilin udhëtonin u përfshi nga flakët. 25-vjeçarja Erinda Kaçorri ishte fshehur në kamion bashkë me të riun Rexhë Myzaraj, kushëri i të fejuarit të saj që e priste në Angli.

Top Channel