Champions, Juventus ‘shkatërron’ Dortmundin,  Barcelona kualifikim dhe spektakël

18/03/2015 00:00

Juventusi dhe Barcelona janë dy skuadrat e kualifikuara mbrëmjen e së mërkurës në Champions League, duke plotësuar 8 ekipet çerekfinaliste të këtij kompeticioni.

Një ndeshje të jashtëzakonshme ka zhvilluar Juventusi në Gjermani ndaj Dortmundit, duke arritur një fitore 0-3, ku Carlos Tevez thuajse i mundi i vetëm gjermanët, teksa realizoi dy gola dhe dha një asist me portën e boshatisur për Morata-n.

Pjesa e parë e këtij takimi u mbyll me një super gol nga argjentinasi, i cili lëshoi një ‘predhë’ në drejtim të portës së Dortmundit, ku portieri nuk pati asnjë mundësi reagimi. Për t’u shënuar në këtë 45 minutësh për italianët ishte largimi i Pogba nga fusha e lojës, i cili u zëvendësua në minutën e 27-të pas një dëmtimi. Megjithatë të besuarit e Allegri-t arritën të kontrollonin lojën, madje në 45 minutat e dyta, të udhëhequr nga Tevez arritën të realizonin edhe dy herë. Ndërkohë që Dortmundi zhvilloi një ndeshje për t’u harruar në fushën e tij, në një stadium të tej mbushur.

Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të së mërkurës Barcelona arriti të mposhtë Mançester Sitin me një gol të vetëm të shënuar nga kroati Rakitic në minutën e 31-të.

Siti tentoi të reagonte në pjesën e dytë, madje pati një mundësi mjaft të mirë për të barazuar, por Aguero gaboi nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 78-të. Pas fitores minimale në “Camp Nou” Barcelona fitoi të drejtën për të qenë një ndër 8 ekipet finaliste, duke qene se kishte fituar edhe ndeshjen e parë në Angli, 1-2.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA