Ushtria siriane ka rrëzuar të martën një avion pa pilot amerikan mbi zonën bregdetare të Latakias, ka njoftuar media shtetërore siriane.
Nëse kjo ngjarje konfirmohet, atëherë do të ishte hera e parë që forcat siriane kanë sulmuar një avion amerikan që nga fillimi i sulmeve ndaj ISIS të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Kundërajrorët sirianë kanë rrëzuar një avion armiqësor mbikëqyrës në veri të Latakias”, ka njoftuar agjencia shtetërore e lajmeve “SANA”.
Siria nuk po merr pjesë në sulmet ndaj ISIS, por deri tani regjimi i Asad nuk ka kryer asnjë sulm ndaj avionëve të përfshirë në operacione ndaj militantëve. Damasku ka thënë se ka paralajmëruar forcat e koalicionit kur ato nisën sulmet, ndërsa ministri i Jashtëm i Sirisë, Walid Muallem kishte thënë se Uashingtoni i kishte premtuar vitin e kaluar se nuk do të godiste ushtrinë siriane.
Sulmet në Siri kanë qenë kryesisht të fokusuara në Aleppo dhe Raqa, ku Shteti Islamik ka bazat e tij.
Top Channel