Avokati i Popullit: T’u falet energjia familjeve të varfëra

17/03/2015 00:00

Familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike nuk mund të shlyejnë detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike.

Nisur nga ankesat e shumta të këtyre familjeve, Avokati i Popullit ka përpiluar një listë me disa rekomandime, ku i kërkon ministrit të Financave, atij të Mirëqënies Sociale, të Energjitikës, si dhe vetë kryeministrit, për t’u falur detyrimet e pashlyera këtyre familjeve, si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për ofrimin e këtij shërbimi jetik.

“Aavokati i Popullit ka rekomanduar nxjerrjen e akteve nënligjore për faljen e detyrimeve të papaguara për familjet në nevojë dhe që janë përfituese nga ndihma ekonomike, gjetjen e një zgjidhjeje për ofrimin e energjisë elektrike në mënyrë të diferencuar, me qëllim ndihmën e këtyre familjeve në nevojë dhe krijimin e alternativave lehtësuese për pagesën e saj”, deklaroi Juliana Çiçi, ndihmës-komisionere pranë AP.

Sipas ndihmës-komisioneres, rekomandimet e Avokatit të Popullit janë bazuar në direktivat e Parlamentit Europian dhe Këshilit të Europës lidhur me rregullat e përbashkëta për tregjet e brendshme të energjisë elektrike, ku thuhet se “shtetet anëtare duhet të marrin masat e duhura mbrojtëse për konsumatorët e cenueshëm”.

Në këtë kontekst, çdo shtet anëtar do të përcaktojë konceptin e konsumatorëve të cenueshëm, koncept që i referohet varfërisë dhe, ndër të tjera, duhet të ndalojë ndërprerjen e energjisë elektrike për konsumatorë të tillë në raste kritike.

Top Channel