Epidemia e terrorit me bomba të rreme. Pas Tiranës, alarm edhe në Durrës

16/03/2015 00:00

Shpërthimi i kontrolluar uli tensionin dhe frikën e shkaktuar nga një alarm për bombë në derën e një shkolle të mesme në Durrës.

Policia u njoftua herët në mëngjesin e së hënës, se një objekt i dyshimtë, një pako me një celular sipër, që ngjante me një bombë të telekomanduar, ishte vendosur përpara një shkolle.

Pasi kanë kontrolluar pakon nga jashtë me anë të pajisjeve, për të parë nëse kishte apo jo lëndë eksplozive, u realizua edhe shpërthimi. Pakoja ishte ndërtuar qëllimisht për t’i ngjarë një bombe.

Rasti në Durrës i bashkëngjitet 5 rasteve të tjera në Tiranë gjatë marsit, të rezultuara si alarme false, por të ngritura qëllimisht për të krijuar panik. Një burim i Ministrisë së Brendshme i tha Top Channel se ka filluar një hetim intesiv, pasi dyshohet se qëllimi i këtyre alarmeve është destabilizimi i vendit.

Forca të Drejtorisë së Antiterrorit janë duke zhvilluar hetime të posaçme vetëm për alarme, që kanë rezultuar të rreme, pavarësisht se të dhënat tregojnë se ato nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Në të gjitha rastet janë sekuestruar kamera të sigurisë, si dhe po identifikohen gjurmët e gishtërinjve të lëna në pako dhe valixhe, për të gjetur autorët e mundshëm të këtyre veprave.

Burimi shtoi për Top Channel se autorët do të përgjigjen përpara drejtësisë, për akte që shkaktojnë panik në popullatë.

Vetëm gjatë këtij muaji shkaktuan panik një pako e lënë përpara Prokurorisë së kryeqytetit, një valixhe e lënë në rrugën e Durrësit u shpërthye nga forcat xheniere, një çantë e lënë në parkun Rinia dhe një valixhe e lënë në afërsi të godinës së RTSH-së. Për hetimet policore, qëllimi mbetet shkaktimi i panikut dhe terrorit psikologjik te qytetarët.

FOTO GALERI
6/6
Rreth dy orë pas marrjes së njoftimit është realizuar shpërthimi i komanduar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA