Elbasan, Rama shpërndan certifikatat e legalizimeve. Ndjek operacionin ndaj procesionares

16/03/2015 00:00

Pas inspektimit që i bëri fillimit të punimeve për impiantin e përpunimit të mbeturinave në qytetin e Elbasanit, kryeministri i vendit, Edi Rama, është ndalur edhe në një takim me disa qytetarë elbasanas, të cilëve u shpërndau 550 certifikata legalizimesh të pronave të tyre të ndërtuara pa leje. Rama shoqërohej edhe nga kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.

“Ne ishim në inspektimin e fillimit të një projekti, që është nisur për të mbyllur një plagë tepër të rëndë dhe që zgjat prej një kohe të gjatë për zonën tuaj, atë të fushës së plehrave. Sot vizituam kantierin e sapohapur për të ndërtuar një impiant të ri teknologjik, i pari i këtij lloji në vendin tonë, i standardeve më të larta, për të garantuar asgjësimin me cilësi të lartë dhe pa gjenerim lëndësh helmuese të plehrave, por edhe për të gjeneruar energji përmes djegies së tyre, një pjesë e së cilës do të shkojë për serrat, që do t’i ndihmojë fermerët të prodhojnë produkte duke shfrytëzuar një energji me çmim më të ulët”, tha Rama, duke iu referuar investimit më të fundit prej 22 milionë eurosh, që do të kontribuojë në përmirësimin e ambientit tepër të ndotur.

Por, duke iu rikthyer çështjes së ndërtimeve pa leje, Rama e ka konsideruar qytetin e Elbasanit si një prej zonave më të prekura prej barrës së këtyre ndërtimeve, pronarët e të cilëve ndër vite nuk kanë mundur të sigurojnë legalizimin, pavarësisht se kanë paguar edhe parà nën duar.

“Elbasani ka një peshë të konsiderueshme të barrës së ndërtimeve pa leje dhe zonave informale. Nga shifrat e 8 viteve të shkuara, vura re se ka pasur shumë ndërtime pa leje, dhe legalizimi ka qenë tepër i ngadaltë për to. Në periudhën e parë, për shkak se është dashur një kohë e gjatë për gjetjen e tyre në terren, është vërejtur legalizimi i më shumë ndërtimeve pa leje nga sa ishte bërë përgjatë 8 viteve të marra së bashku. Unë theksoj edhe njëherë se legalizimin falas do ta mbaj si premtim se të gjithë do të pajisen me këtë dokument falas. Por, gjithashtu edhe faktin që asnjë pronë nuk do të qëndrojë pa iu kthyer pronarëve ligjorë. Dua të falënderoj punonjësit e ALUIZNI-t që ia kanë dalë me sukses të japin përgjigje të shpejta për ju dhe ata, që mbetën dyerve të këtij institucioni duke paguar lekë nën dorë, e duke mos marrë kurrë lejen e legalizimit. Ndërkohë që sot jam këtu pikërisht për të dhënë disa nga këto leje”, deklaroi Rama nga Elbasani.

Ndërsa në fshatin Gjinar, kryemimistri ndoqi vijimin e operacionit për të luftuar një prej shkaktarëve të dëmtimit të pyjeve me pisha, procesionares, e njohur si sëmundja e pishës. Deri më tani, këtij operacioni i janë nënshtruar 6,335 hektarë pyje në grumbujt pyjorë të pishës së zezë.

Top Channel