Durrës, pranga dy ish-drejtuesve të Ujësjellësit

16/03/2015 00:00

Dy ish-drejtues teknikë të ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës janë arrestuar këtë të hënë nga policia lokale, në zbatim të një vendimi të marrë nga gjykata e qytetit.

Me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për dy ish-zyrtarët e lartë të UKD-së, përkatësisht shtetasve Franc Stajka, drejtor teknik dhe Tonin Doda, ish-drejtues i degës teknike.

Të dy ata dyshohen për konsumimin e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, pasi në cilësinë e antarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dyshohet se kanë paracaktuar fituesin e tenderit për furnizimin me ujë të zonës Spitallë-Porto Romano-Bisht Pallë, si edhe rikonstruksionin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e Shkozetit dhe Sukthit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 30 milionë lekë.

Hetimi mbi dy zyrtarët kishte nisur në tetor të vitit të kaluar, pas kallëzimit të bërë nga KLSH për ish-drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve dhe drejtuesit e tjerë.

Në përfundim të auditimit të kryer në ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës, KLSH kishte konstatuar shkelje në disa prokurime, për të cilat vijon hetimi.

Ndërkohë, për tenderin me objekt ndërtimin e rrjetit të furnizimit me ujë të zonës Spitallë-Porto Romano-Bisht Pallë, UKD akuzohet se ka shmangur konkurrencën e operatorëve duke aplikuar metodën e prokurimit “negocim pa botim paraprak të njoftimit të kontratës”, që bie në kundërshtim me kërkesat e ligjit “për prokurimin publik”.

Gjithashtu, po në shkelje me ligjin rezulton se janë nënshkruar shtesa kontrate në masën 20% të kontratës bazë për investimet e kryera në Shkozet dhe në Sukth.

Top Channel