Ka përfunduar ashtu siç pritej Çmimi i Madh i Australisë, i pari që hap sezonin e ri të Formula 1, me Mercedesin triumfues dhe “zaptues” me meritë të dy vendeve të para.
Hamilton dhe Rosberg e nisën aty ku e lanë në Abu Dhabi, edhe pse ishin krejtësisht të vetmuar në këtë garë, në të cilën rivalët në pistë, ashtu sikurse dhe telespektatorët i kanë parë shumë pak, duke qenë se kamerat nuk i kanë inkuadruar edhe aq shumë gjatë garës prej rreth 1 orë e gjysmë.
Kampioni britanik ruajti thuajse gjatë gjithë garës një distancë prej 2-3 sekondash, duke mos e vënë kurrë në diskutim vendin e parë. Duket se edhe ky kampionat do të jetë tërësisht i tyre, edhe pse është vetëm fillimi…
Megjithatë, një fije shprese vjen nga Ferrari, që në këtë moment konfirmoi të jetë forca e dytë në pistë. Në garën debutuese, Sebastian Vettel rikthehet në podium, një vend aq shumë i dëshiruar prej “kokëkuqes”, duke parë sezonin zhgënjyes të vitit të kaluar, duke lënë pas tij Felipe Massan me Williams. Një rezultat që ngre moralin për të gjithë ferraristët, edhe pse gara u komplikua disi me gabimin e “dyfishtë” në bokset e skuderisë, në rastet e ndalesave të Kimi Raikkonen, i cili fillimisht humbi 5 sekonda pas xhiros së 16, e më pas në xhiron e 40 u detyrua të dilte në garë me një gomë gjysmë të montuar.
Në këtë garë të parë të bëjnë përshtypje tërheqjet e shumta, ku morën pjesë vetëm 16 pilotë, që tregojnë edhe njëherë vështirësitë e mëdha të Formula 1. Një skuderi nuk zbriti fare në pistë, një pilot u tërhoq për dëmtime ende pa nisur gara, ndërsa të tjerë kanë parë sesi u shpërthente motori, por ka edhe nga ata pilotë si Raikkonen, i cili edhe pse zhvilloi disa xhiro të shpejta në pistë rezultoi sërish i tërhequr.
Gara e ardhshme do të jetë Çmimi i Madh i Malajzisë, pas dy javësh, një pistë tjetër dhe me karakteristika të ndryshme nga “Albert Park” e Melbournit.
1. HAMILTON L. (Mercedes) 25 pikë
2. ROSBERG N. (Mercedes) 18
3. VETTEL S. (Ferrari) 15
4. MASSA F. (Williams) 12
5. NASR F. (Sauber) 10
6. RICCIARDO D. (Red Bull) 8
7. HULKENBERG N. (Force India) 6
8. ERICSSON M. (Sauber) 4
9. SAINZ JR C. (Toro Rosso) 2
10. PEREZ S. (Force India) 1
Top Channel