Përfundon ballafaqimi i dytë i Tom Doshit me Durim Bamin

14/03/2015 00:00

Sërish nën masa të forta sigurie 36-vjeçari Durim Bami u shfaq nën shoqërinë e forcave të policisë të cilat e transportuan atë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për seancën e radhës të ballafaqimit me deputetin Tom Doshi.

Një proces hetimor që shënoi rekord nga mëngjesi deri në mbrëmje, por në mënyrë të pazakont për shkak të ndjeshmërisë publike të çështjes, askush nuk ka dhënë një version, qoftë edhe jozyrtar se çfarë thanë ballë për ballë njëri-tjetrit Durim Bami dhe deputeti Tom Doshi.

Megjithatë një burim anonim i tha Top Channel se Durim Bami ka vijuar të mohojë gjithçka duke këmbëngulur se tentativa për atentat është një trillim. Ky version është kundërshtuar fort nga deputeti Doshi.

Proçesi i pyetje përgjigjeve zgjati nga ora nëntë e mëngjesit deri pas orës 17  të pasdites, për t’u mbyllur me largimin e të arrestuarit Bami nga ambientet e prokurorisë. Respektin për sekretin hetimor në dalje të prokurorisë e shfaqi edhe avokati i Bamit, Ilir Murati i cili kujtoi se nuk mund ta shkelë ligjin duke folur dhe së dëshmia dhe ajo çfarë ka ndodhur përgjatë ballafaqimit është pjesë e sekretit hetimor.

Në heshtje u largua edhe deputeti denoncues Tom Doshi , i cili prej 12 ditësh është në qendër të një proçesi hetimor që po zhvillohet për shkak të pretendimeve të tij se Bami ishte ndërmjetësuar për të vrarë atë dhe deputetin Mhill Fufi.

Të fundit që lanë prokurorinë ishin prokurorët e çështjes, të cilët kësaj radhe për shkak të orëve të gjata në punë ishin vetë në drejtim të automjetit edhe si shoferë. Jozyrtarisht mësohet se në ditët në e ardhshme do të vijojë maratona e përballjes mes Durim Bamit dhe deputetit Mark Frroku, duke qenë se Bami thotë që e njoh Frrokun, por ky i fundit e mohon këtë gjë.

Top Channel