Për të folur për aktualitetin politik të këtyre ditëve, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë Skënder Minxhozin, kryeredaktor i revistës “Java” dhe analist i atashuar pranë Top Channel.
Zoti Minxhozi, e nisim nga protesta e djeshme e opozitës. Ka patur shumë debate për numrat, forcën dhe shumë polemika përpara saj, për frikën e tensioneve apo dhunës, e shumë lavdërime për faktin se përfundoi si një protestë paqësore dhe qytetare. Por çfarë mbeti pas, pas kësaj proteste, çfarë u arrit nga opozita dhe çfarë mund të bëjë të reflektojë mazhorancën?
Minxhozi: Sinteza që ju bëni është e vërtetë, sepse në një frazë përmblodhët gjithë ndjesitë e kundërta të pritshmërive dhe rezultateve që kjo protestë solli. Më tepër do të thosha rezultatet e munguara që solli kjo protestë. U nis si një protestë që do të shkulte nga rrënjët mazhorancën. Që, siç tha Sali Berisha, bëri që të iknin deputetët dhe kryetari i Kuvendit. U krijua pritshmëria se do të krijohej një thyerje e madhe, por diçka e tillë nuk ndodhi. Në raport me pritshmëritë që krijoi, ajo ishte një protestë modeste e normale. Por me ‘normale’ nënkuptojmë diçka që PD nuk do të donte ta arrinte, pasi ajo kishte përgatitur opinionin publik një protestë mbinormale.
Kjo do të thotë se, nuk dimë se ç’duam dhe çfarë të kërkojmë nga protesta?
Minxhozi: Ajo që ndodhi me protestën është se PD zgjodhi një objektiv të gabuar. Tom Doshi mund të jetë një fabul e së majtës, por vështirë se mund të jetë e gjithë politikës shqiptare. Në 22 nëntor opozita mblodhi shumë më tepër njerëz kur foli për varfërinë dhe çështje të tjera sociale që prekin njerëzit, por të flasësh për dramën personale të një deputeti, sado i rëndësishëm të jetë, për akuzat e tij sado të rënda të jenë në raport me krerët e mazhorancës, do të thotë të flasësh për një proces që është ende në zhvillim, që ka shumë hije të errëta dhe që nuk i jep përgjigje pse-së. Pse Ilir Meta e donte të vdekur Tom Doshin.
Protesta e opozitës bazohet tek çështja Doshi. Cilat do të jenë pasojat politike të kësaj çështjeje tashmë, kur jemi edhe në prag të zgjedhjeve lokale?
Minxhozi: Besoj se efekti më i madh i kësaj historie do të jetë ai lokal. E majta do të paraqitet më dobët në veri, ku Doshi kishte impakt dhe influencë. Por në planin kombëtar besoj se ashpërsimi i gjuhës ndaj Metës e futi atë në lojë, kur deri dje kishte një rol komod në krye të Parlamentit. Atakimi që opozita i bën Metës do ta fusë atë në lojë dhe do të bëjë që ai të jetë aktiv në fushatë. Kjo besoj se e unifikon opozitën e sotme, megjithëse mbetet për të parë se si do të ndahen bashkitë. Por në tërësi, kjo nuk ka qenë një ngjarje e mirë për Metën, sepse nga kjo çështje një kosto të vogël ai e ka pasur. Në kampin e djathtë, ajo që mbetet në këtë prag fushate mendoj se opozita nuk duhet të ishte kaotike në zgjedhjen e kauzave, por duhet të fokusohet aty ku ka treguar se ka më shumë sukses, pra të kthehet në axhendën e nëntorit, të problemeve të qytetarëve dhe të futet në zgjedhje ku të mbrojë kryeqendrën e zgjedhjeve, që është Tirana e që përshtypja është se ajo do ta humbë bashkinë.
Një zhvillim i rëndësishëm sot është edhe dalja hapur e PDIU në kërkim të partnerëve të rinj politikë për zgjedhjet lokale, pra një lloj braktisjeje e kampit opozitar…
Minxhozi: Qëndrimi i zotit Idrizi është tipik i liderit të një partie të mesme ose të vogël, që me aleanca fluide kërkojnë të ruajnë prezencën në Parlament dhe në nivel lokal. Duke qenë se zgjedhjet administrative japin një liri më të madhe për zgjedhje politike dhe figurash, zoti Idrizi po bën atë që e kanë bërë të tjerë para tij: po sheh për zgjerimin e asaj liste ofertash që mund t’i bënte e djathta duke negociuar me të majtën. Ajo kërkon 5 bashki nga 61 dhe duke parë partitë e mëdha që konkurrojnë e që pretendojnë shumë nga këto zgjedhje, besoj se negociatat do të jenë të vështira. Pastaj duhet parë edhe fakti se cili është impakti që aleanca e PDIU me shumicën do të sillte në nivel parlamentar. A do të krijonte më shumë bashkim, apo do të sillte përçarje? Kjo mbetet për t’u parë.
Top Channel