Rikthehen reshjet e dëborës në Dibër

11/03/2015 00:00

Janë rikthyer reshjet e dëborës në Qarkun e Dibrës, ku për gjatë natës ato janë shoqëruar me erë të fortë, duke sjellë probleme në rrugët nacionale dhe ato rurale. Trashësia e dëborës në zonat urbane ka arritur në 10 centimetra, ndërsa në zona të thella malore deri në 20 centimetra, si në komunat Lurë, Kala e Dodës, Luzni dhe Sllovë.

Rrugët kombëtare dhe ato që lidhin komunat me qendrat e rretheve Dibër, Bulqizë dhe Mat, momentalisht janë të kalueshme me zinxhirë. Në shumë segmente rrugore ka prani akulli dhe dëbore, si pasojë e uljes së temperaturave.

Me zinxhirë kalohet aksi Qafë e Buallit-Zona D, Bulqizë-Krastë, Bulqizë-Zona D dhe Ura e Çerenecit-Librazhd.

Përsa u përket akseve nacionale: Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Tiranë kalohet pa zinxhirë. Përgjatë natës dhe ditës së sotme është punuar për pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e skorjes dhe kripës.

Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se janë shtuar kontrollet për lëvizjen e automjeteve gjatë ditës së sotme, ku drejtuesve të automjeteve u është rekomanduar përdorimi i zinxhirëve. Ndërkohë, për manaxhimin e situatës, nga Drejtoria e Rrugëve dhe Policia Rrugore janë marrë të gjitha masat për gatishmërinë në rrugë për lëvizjen e automjeteve.

Top Channel