Legalizimet, Rama në “Don Bosko” kujton premtimin e Bashës

11/03/2015 00:00

Zona e “Don Boskos” në Tiranë ishte stacioni i radhës për Kryeministrin Edi Rama, nga ku së bashku me Ministren Eglantina Gjermeni dhe kreun e ALUIZNI-t, Artan Lama shpërndanë 600 çertifikata legalizimesh falas.

“Jam krenar që pas vetëm 18 muajsh në qeveri dhe pasi kemi kapërcyer pengesat ligjore dhe pasi jam zotuar se ky problem do të zgjidhet, ju jeni sot këtu për të marrë në dorë lejen e legalizimit. Jeni dëshmitar se sa shumë jeni përpjekur në vite. Keni trokitur e keni paguar  nën e mbi dorë dhe vetëm gishtin në gojë keni mbajtur”, tha Rama.

Nga këtu Rama u kujtojë banorëvë një prej premtimeve të kreut  të bashkisë Tiranë Lulzim Basha.

“Dua t’iu sjell ndërmend se çfarë iu thotë dikush që u bë si u bë kryetar bashkie, që ju thoshte sapo të bëhem unë kryetar bashkie ju do të merrni në dorë tapitë e apartamentit. Kaluan 4 vjet dhe as dorën që do ju jepte tapinë nuk jua dha dhe as tapinë nuk e patë”, deklaroi Kryeministri.

Tashmë tha Rama, ky titull pronësie bën që shtëpia nga një vend për të futur kokën kthehet në një pasuri që përdoret si kolateral në bankë dhe kjo është vlerë për çdo familje.

600 familje përfituan nga lejet e legalizimeve dhe kreu i ALUIZNI-t,
Artan Lame, tha se procesi nuk do të ndalet dhe do të vazhdojë në të
gjithë vendin. Vetëm në kryeqytet, sipas Lames, janë 2015 pallate të reja
në proces legalizimi.

Top Channel