Tjetër ligj për riciklimin e mbetjeve

10/03/2015 00:00

Qeveria propozon një mekanizëm të ri për të mbledhur mbetjet e riciklueshme që nga plastika deri tek vajrat e makinave apo pajisjet elektrike e elektronike. “Vendoset një çmim pak më i lartë dhe këtë vlerë konsumatori e rimerr me kthimin e ambalazhit në pikën e grumbullimit”, shpjegon deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Bare.

Vendosja e një vlere shtesë mbi çmimin e produktit për t’ju rikthyer sërish konsumatorit kur dorëzon ambalazhin e tij te riciklueshëm, është një praktikë e ndjekur në shumë vende të Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara. Ndonëse diskutimi është ende në parim dhe nuk dihet sa do të jetë kjo shumë apo mënyra se si do të vihet në zbatim, në shumë vende ka funksionuar përmes një koncensionari që duhet të investojë në të gjitha pikat e grumbullimit apo pajisjeve automate të cilat u bashkangjiten qendrave tregtare apo supermarketeve.

“Është i mundur jo vetëm për plastikën dhe qelqin, pjesët metalike, por edhe vajrat e makinave që janë një problem i madh ndotjeje, pajisjet elektronike që kanë komponentë toksikë”, thotë Bare.

Ndryshimet e herëpashershme ligjore deri më tani nuk e kanë zgjidhur ende menaxhimin e mbetjeve që vazhdon të jetë një nga problemet më të mëdha në vend. Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se ky mekanizëm është e vetmja mënyrë për të siguruar kthyeshmërinë e mbetjeve. Por, a do të jetë kjo zgjidhja?

“Ne adoptojmë ligje të ngjashme me Gjermaninë, por kur vjen puna për t’i zbatuar futet roli i faktorit shqiptar”, përgjigjet deputeti socialist.

Top Channel