Klima politike shtyn takimin e miqësisë SHBA-Shqipëri

10/03/2015 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë i është përgjigjur interesimit të mediave për shtyrjen e mbledhjes përuruese të Grupit të Miqësisë Shqiptaro-Amerikane.

Përmes një komunikate të shpërndarë në orët e mbrëmjes së të martës, ambasada pranon se shkak për këtë shtyrje është bërë klima politike në Kuvend, por edhe mungesa e vullnetit të Partisë Demokratike për të marrë pjesë në këtë takim.

Ky është anulimi i dytë për takimin e grupit të miqësisë Shqipëri-SHBA,
në përbërje të të cilit janë edhe deputetët Tom Doshi e Mark Frroku, që
të dy të vendosur në qendër të vëmendjes pas akuzave të Doshit ndaj
kreut të Kuvendit Ilir Meta, se qendron pas një plani për vrasjen e tij.

Gjatë ditës ambasadori amerikan Donald Lu ka zhvilluara takime në Kryeministri. Burime të qeverisë thanë për Top Channel se ambasadori është takuar në selinë e qeverisë me ministren e Shtetit, Milena Harito. Kamerat kanë fiksuar momentin kur ai është larguar nga selia e qeverisë. Takimi tërhoqi vëmendjen e medias për shkak se zhvillohet dy ditë përpara protestës së opozitës.

Top Channel