Naço, në analizën vjetore të Apelit të Vlorës: Reformim sistemit

06/03/2015 00:00

Ministri Nasip Naço ka qenë ditën e sotme në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit në Vlorë, si dhe të Gjykatave të Shkallës së Parë që ajo përfshin. Në fjalën e tij, Naço theksoi se Ministria e Drejtësisë është e angazhuar në reformimin e sistemit gjyqësor.

Ai theksoi se gjykatat në rang vendi duhet të orientohen në dhënien e dënimeve alternative, për të gjitha ato vepra penale, që kapin dënimin deri në 5 vjet. Sipas tij, kjo imponohet nga situata e krijuar nga mbipopullimi i burgjeve në rang vendi.

Përpos kësaj, Naço pranoi defiçitet që ka infrastuktura e sistemit gjyqësor, ndërsa deklaroi se arkivi i gjykatave do të jetë dixhital, me një investim prej rreth 3 milionë dollarësh, i cili do të nisë në maj.

Pas takimit, Naço iu përgjigj interesit të gazetarëve, e referuar çështjes “Doshi”, ai shprehu besim te organi i akuzës, për të cilin tha se do të ketë në ditët në vijim një qëndrim zyrtar, ndërsa deklaroi se organet e drejtësisë duhet të mos ndikohen nga presionet politike, të rrugës apo korrupsionit.

Ministri, pas analizës vjetore të Gjykatës së Apelit Vlorë, ka bërë dhe një vizitë surprizë në ambientet e zyrave të ZRPP Vlorë, ku – sipas tij – vërejti në zyrat e hipotekës mungesën e punonjësve, si të drejtuesit të këtij institucioni, ashtu dhe të punonjësve, gjë për të cilën tha se do të marrë masa për këtë mungesë vëmendjeje nga ana e këtyre drejtuesve.

Top Channel