Korçë, projekti për rrugën ‘Gjon Buzuku’, shembet edhe ndërtimi i fundit

05/03/2015 00:00

Ka përfunduar shembja e objekteve në rrugën “Gjon Buzuku” në Korçë,
ndërsa objekti 4-katësh në pronësi të Petrit Xhelollarit ka qenë i
fundit i planifikuar për t’u rrëzuar.

Vendimi i IKMT-së për të shembur 14 objekte, kryesisht banesa dhe lokale, në këtë pjesë, me qëllim rikonstruksionin e rrugës, është ekzekutuar nga IKMT, ndërsa Xhelollari, i cili më herët u përball me drejtësinë pasi kërcënoi kryebashkiakun Filo për prishjen e pronës së tij, këtë herë nuk ka bërë rezistencë.

Ai kishte kërkuar kohë për të hequr nga banesa të gjitha orenditë dhe pajisjet, ndërsa një ditë më pas, kur godina ishte e zbrazët, Xhelollari ka refuzuar të lejojë ndërhyrjen, duke kërkuar dokumentacionin për këtë vendim. Por në pak minuta, ai ka pranuar të largohet duke e lejuar IKMT-në të veprojë.

Xhelollari ka hedhur akuza për prishjen e padrejtë të banesës së tij, duke theksuar se ende nuk ka marrë dëmshpërblimin.

Përgjatë dy ditëve, në rrugën “Gjon Buzuku” u prishën 14 objekte, pasi prekeshin nga projekti për rikonstruksionin e kësaj rruge.

Top Channel