F1, Vettel: Schumi më këshillonte gjithmonë Ferrarin

05/03/2015 00:00

Sebastian Vettel ka folur gjerë e gjatë për eksperiencën e tij të re me Ferrarin në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’. Piloti gjerman e nis nga e shkuara: “Isha 13 vjeç kur për herë të parë hyra në bokset e Ferrarit në Nurburgring. Atëherë pilotoja në Formula BMW.”

Më pas, katër herë kampioni i Formulës 1 me Red Bullin tregon kontaktet e tjera që ka pasur me “Kokëkuqen”.

“Në vitin 2008 fola me Domenicalin për një të ardhme të mundshme si pilot i Ferrarit. Në vitin 2013 kam shkuar fshehurazi në Maranello për të takuar Montezemolon dhe për të folur po për këtë çështje. Ndërsa vendimi përfundimtar u mor në mes të vitit të kaluar, kur takova Mattiacin dhe Montezemolon. Edhe pse ata u larguan nga Ferrari, tratativat vazhduan dhe një telefonatë e Marchionnes më bindi”, tregon Vettel.

Kampioni gjerman zbulon se para se të firmoste, i ka marrë mendim dhe menaxheres së Michael Schumacher, Sabine Kehm: “Fatkeqësisht, nuk mund të flisja me Schumin personalisht, por ai gjithmonë më këshillonte të pilotoja për Ferrarin.”

Top Channel