Shëndetësia, basti i humbur i të gjithëve

04/03/2015 00:00

ILIR YZEIRI – (Reportazh me zorrët në grykë) Ka disa kohë që sistemi ynë
shëndetësor është kthyer në vëmendje të opinionit për shkak se mjekët
shqiptarë në të gjithë vendin nga ora 11:00 deri në orën 11:30, pra
përreth gjysmë ore, protestojnë në mënyrë simbolike ndaj ministrit Beqaj
për të kundërshtuar urdhëresën e tij që mjekët e spitaleve publike
bashkë me infermierët duhet të testohen.

Ministri Ilir Beqaj ka kohë që është vënë në qendër të kritikave nga një pjesë e madhe e mediave dhe ndaj tij janë artikuluar si akuza për korrupsion, siç ishte rasti i helikopterit, por edhe akuza politike. Në fakt opozita shqiptare është institucioni më i pavlerë në opinionin publik, sepse ajo ndot çdo gjë. Edhe atëherë kur problemi sapo fillon dhe merr formë, ndërhyn opozita me deklarata prej gangsterësh politikë dhe e humbet problemin, e shformon argumentin.

***

Kur ke një të sëmurë në shtëpi, gjëja e parë që bën është telefonata me një mjek të njohur që e ke edhe mik. Jo vetëm unë, por duhet të jenë të shumtë në Shqipëri ata që kanë njohur përkushtimin dhe gatishmërinë për të të orientuar dhe për të të ndihmuar, të mjekut Leonard Solis. Unë kam dhe një tjetër mjek të tillë.

Ai është Arben Runa. Këta të dy dhe mjeku i talentuar Arsen Seferi e shpëtuan një të afërmin tim, i cili pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë në moshën 82-vjeçare, sot pas dy vjetësh, është më mirë se ç’ishte para tranzicionit. Pas operacionit, një mjek tjetër i mirë dhe humanist, Arben Pilaca i shëroi temperaturën atipike. Kjo është ana e mrekullueshme e mjekësisë shqiptare. Këtu do të shtoja edhe mjekun Jul Bushati, njeri me mirësi të rrallë. Kjo është Shqipëria që duam, kjo është mjekësia që dëshirojmë. Mirëpo, për fat të keq, kjo lloj mjekësie nuk ekziston realisht. Atë mund ta ndërtosh nëse ti ke njëfarë pozicioni në shoqëri. Sepse po të jesh një shqiptar i thjeshtë sistemi të shqyen dhe të shpartallon. Unë bëra një provë këto ditë.

***

Sistemi shëndetësor, sipas meje, është një tërësi hallkash që duhet ta lehtësojnë distancën mes pacientit dhe mjekut ose farmacistit. Pra, nëse unë kam nevojë për t’u vizituar, për t’u konsultuar apo për t’u mjekuar, rruga ime drejt mjekut specialist duhet të jetë sa më e shkurtër. Për ta lehtësuar këtë rrugë, unë paguaj kontribute shëndetësore.

Mirëpo ka dhe shumë nga ata që nuk paguajnë këto kontribute. Në këtë rast, shteti bën një politikë sociale dhe i kompenson ata, ashtu siç i fton të gjithë ata që punojnë që të sigurohen. Në Shqipëri, në vendin e shqiponjave të egra kapitaliste ekziston në mënyrë perfekte edhe sistemi privat i shëndetësisë. Atje distanca mes pacientit dhe mjekut është 0, mjaft që të paguash. Atje, gjithashtu, shërbimi është shumë i mirë. Por këtë radhë nuk po merremi me këtë anë të sistemit. Unë paguaj prej 30 vjetësh kontributet shëndetësore dhe tani kam nevojë për sistemin. Pasi shfrytëzova pozicionin tim me telefonata që nisin nga Solis, përfundova te mjeku Pilaca dhe aty në urgjencë. Pas kësaj, mjekët më sugjeruan një skaner për të parë më mirë gjendjen e pacientit, që në këtë rast ishte një njeri i afërm i imi që, po ashtu si unë, paguan kontributet shëndetësore prej 30 vjetësh.

***

Për të bërë skanerin në Sanatoriumin e Tiranës kishim dy rrugë. Ose të shkonim drejtpërdrejt dhe të paguanim 12 500 lekë ose të ndiqnim rrugën tjetër, atë të burokracisë shëndetësore dhe të paguanim vetëm 1250 lekë. Vendosa të zgjedh të dytën dhe doja të shikoja edhe vetë se si funksionon sistemi. Që në fillim kishim një problem. Libreza shëndetësore duhej shtyrë, sepse ishte deri në fund të vitit 2014. Për ta shtyrë ka një procedurë. Dhe këtu fillon udhëtimi në ferrin e sistemit. U vesha me atlete, me bluzë sportive dhe u nisa. Kisha me vete librezën shëndetësore që duhet ta shtyja, librezën e kontributeve dhe kartën e identitetit. Ngjitem te mjeku i familjes në Qendrën Shëndetësore tek Ura e Tabakëve dhe ajo më thotë që duhet t’u bësh nga një fotokopje librezës së kontributeve dhe kartës së identitetit dhe zbrit në kat të parë. Ok. Ku ka fotokopje pyes? A, nuk e dini, afër gjimnazit “Ismail Qemali” te një librari. Ok. Nisem, i fotokopjoj dhe vij në kat të parë. Para meje rreth njëzet vetë. Kush është i fundit, pyes? Më tregojnë një plak dhe filloj të pres. Brenda është vetëm një vajzë që punon me një kompjuter dhe aty në radhë dëgjoj lloj-lloj hyneresh. Më së shumti vijnë për të marrë librezën e sigurimit shëndetësor, një copë letër me varak që ka ca ngjyra të shpëlara. Për ta marrë këtë copë letër, ata kanë sjellë një mal me letra dhe zonjusha brenda i kërkon në kompjuter, i kërkon në sistem. Këto fjalë të mëdha “sistem” dhe “kompjuter” i kanë mpirë njerëzit e gjorë që rrinë aty dhe presin kur zonjusha që është brenda t’u japë copën e letrës me varak. Të gjithë e duan atë copë letër për ilaçe, për mjekim më të specializuar, por sidomos për rimbursim. Unë kam vendosur të rezistoj dhe më kujtohet se para dy vjetësh, pata ardhur këtu që të shtyja librezën time dhe kishte po kaq radhë sa tani. Pas dy orësh, i mbytur me aroma gjithfarësh dhe me erë banjash publike, mbërrij te vajza. Ajo bëri vetëm një shënim prapa hodhi firmën dhe kaq. Isha më i lumturi i botës. Kjo është porta e parë e ferrit në sistemin shëndetësor shqiptar. ISKSH-ja, që administron paratë tona, ka marrë përsipër që të na nxijë jetën, sepse muret që ka vendosur ajo nuk ka Perëndi që i kalon. Por le të vazhdojmë rrugën.

 

***

Pas dy orësh, ngjitem lart te mjekja e familjes që të marr rekomandimin për skanerin e famshëm. Ermiola, mjekja ime e familjes është një zonjë e vërtetë, por ajo nuk punon mjeke më, ajo është kthyer në një dispeçere që plotëson vazhdimisht letra sidomos për pensionistët e gjorë që vijnë aty në çdo muaj për të rifreskuar letrat që të marrin ilaçet me rimbursim. Edhe këtu është një portë tjetër e ferrit që ka ndërtuar ISKSH-ja. Radhë të gjata, nervozizëm dhe letra, vazhdimisht letra në mënyrë që rruga e pacientit deri te mjeku apo deri te farmacia ku do marrë ilaçet të bëhet sa më e gjatë dhe sa më e lodhshme. Unë marr rekomandimin dhe nisem te specialistja pneumologe, te Dipsanceria afër Stacionit të Trenit. Atje më pret një zonjë në sportel që përsëri mbush një letër dhe më thotë do takosh dr. E.Nakon. Vjen dikur kjo zonjë dhe aty kam parë fytyrën e egër, arrogante të sistemit. Unë hap derën dhe sapo nis t’i flas, ajo ulëret dhe thotë se do vijë filani që sapo i bëra grafi. Ok. Hyjnë njëri pas tjetrit të gjithë dhe kur nuk mbeti njeri, trokita unë. Hë, më tha çfarë do, hyr! Pa i ngritur sytë më mori fletën dhe m’u hakërrua: ku është pacienti? Pacienti është shtrirë i thashë po unë dua një rekomandim që t’i bëj një skaner në Sanatorium. Jo, more, pse, nuk të pëlqej unë. Sille këtu ta vizitoj unë dhe po m’u mbush mendja ta jap, po nuk m’u mbush mendja nuk ta jap. O Zot, thashë me vete, paska të drejtë Ilir Beqaj që do t’i testojë mjekët. Kjo arrogante, në fakt, kishte nevojë për atestim. Moj, zonjë i thashë, unë paguaj kontribute dhe e zgjedh shërbimin. Dua të bëj një skaner në Sanatorium sepse këtë ma kanë sugjeruar specialistët. Nuk hapte rrugë derisa e lidha në telefon me dr. Pilacën. E mora rekomandimin dhe dola. Ora ishte 12:00. Kisha filluar odisenë në orën 8:00 të mëngjesit.

 

***

Të dashur lexues të mi! Mendoni se çfarë ndodh në sistemin tonë me njerëzit e zakonshëm. Unë kam një pozitë shoqërore dhe njihem përgjithësisht dhe kur vendosa të futem në dhëmbët e sistemit shëndetësor, gati më mbytën edhe mua. Pra, për të bërë një vizitë të specializuar, sistemi ma nxiu jetën dhe takimin tim me mjekun ma bëri ferr. Më duhet të them se në Sanatoriumin e Tiranës pashë një pamje tjetër. Shumë gjëra funksiononin mirë dhe punët ishin më të organizuara. Edhe aty, sidomos dr. Turi apo dhe të tjerë, ishin pjesë e një sistemi që funksiononte. Mirëpo, sistemi është kalbur, sepse institucioni që administron paratë tona, ISKSH-ja, ka krijuar pengesa burokratike dhe hallka të tilla që ti duhet të thuash mallkuar qoftë ai që paguan kontributet. Edhe në Sanatorium na doli përsëri gogoli ISKSH. Edhe aty, për të shkuar deri te skaneri, kaluam nga dr. Silva, një profesioniste e dalluar. Por paradoksi ishin letrat. Rekomandimi i mjekes së dispanserisë, regjistrohej në sportel, pastaj shkoje te mjekja. Për të zbritur te skaneri, letrës duhej t’i vije një vulë në kartotekë. Po kartoteka ishte në bodrum. Pastaj do të prisje radhën te sporteli i ISKSH-së. Edhe aty duheshin përsëri letra. Duhej fotokopjuar karta e identitetit përsëri dhe rekomandimi i mjekes. Ku ka fotokopje pyes. Jashtë më thonë. Dal i fotokopjoj dhe i dorëzoj te sporteli i tmerrshëm i ISKSH-së . Dhe e bëjmë skanerin më në fund.

Ky është sistemi i kalbur. Pra rruga për të shkuar deri te mjeku është një ferr i vërtetë. Kur mjekja më tha që ilaçet i do me rimbursim apo pa rimbursim, jo thërrita! Mos të lutem! Sepse do të duhej të filloja edhe një herë rrugën. Nuk kisha nerva më. Tani dua ta pyes Ilir Beqajn: Është më i rëndësishëm shou që po bën me mjekët apo kurimi i kësaj plage. Për fat të keq, deri tani ai dikaster ka dështuar, sepse nuk po merret me sistemin e kalbur, por me kalbësirat e një filozofie që nuk të nxjerr askund. Djemtë e mi që jetojnë në Gjenevë të Zvicrës më thonë se, nëse ti je sëmurë, mund të shkosh ose në urgjencë ose te specialisti. Ku të duash. Rruga për të shkuar te mjeku është pa asnjë pengesë. Pasi regjistrohesh, mjekohesh, pa plotësuar asnjë letër, vetëm duke dhënë emrin. Më pas në shtëpi të vjen fatura që të tregon se sa janë shpenzimet. Varet nga masa e sigurimit shëndetësor. Natyrisht po flasim për sistemin më të mirë në botë, por, duke parë atë sistem, duhet ta dimë se ne jemi ende në fazën primitive. Unë paguaj kontributet shëndetësore dhe përse duhet të verifikohem në cilindo sportel që ngre ISKSH-ja sikur të isha me ebola. Përse gjithë ajo burokraci kriminale që e zmadhon në mënyrë artificiale rrugën e pacientit deri te mjeku ose te farmacisti. Ky është basti që duhet fituar. Por këtë bast e kanë humbur të gjithë, po e humb edhe Ilir Beqaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA