Real Madrid, 30 milionë euro për Danilon e Portos

04/03/2015 00:00

Danilo mund të jetë përforcimi i parë i Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm. Negociatat mes klubit madrilen dhe Portos kanë avancuar shumë ditët e fundit dhe sipas gazetës sportive spanjolle ‘AS’, çmimi i mbrojtësit brazilian është 30 milionë euro.

Klubi portugez pagoi 13 milionë euro në vitin 2012 për ta marrë lojtarin e krahut nga Santosi dhe Danilo u bë blerja e dytë më e shtrenjtë e historisë së Portos pas Hulkut.

Kontrata e Danilos me Porton skadon në 30 qershor 2016, por futbollisti duket se ka vendosur që të largohet nga Portugalia që këtë vit.

23-vjeçari është një lojtar i fuqishëm fizikisht (1,84 metra i gjatë) dhe shumë sulmues. Goditja e saktë e ka kthyer në mbrojtësin e krahut me më shumë gola në historinë e Portos. Për shërbimet e tij janë të interesuar edhe Manchester United e Barcelona, por duket se lojtari ka zgjedhur tashmë Realin.

Top Channel