Sezoni turistik në prag, pala greke zgjat orarin për kalimet në pikën kufitare të Qafë Botës Europianët kanë ujë dhe ajër më të pastër se 5 vjet më parë, grumbullojnë më pak mbeturina dhe riciklojnë më shumë, ndërsa politikat e mjedisit sjellin shtim të vendeve të punës në perspektivën e KE-së mbi gjendjen e mjedisit.
Raportet e posaçme për 39 shtetet, përfshirë Shqipërinë, paralajmërojnë në anën tjetër se qëllimi afatgjatë i Europës për “të jetuar mirë, brenda limiteve të planetit” (qëllim i programit 7 të BE-së), nuk arrihet me nivelin aktual të ambicies dhe të politikave të mjedisit.
Karmenu Vella, komisioner për mjedisin, çështjet detare dhe peshkimin, shprehet: “Raporti vë në dukje një përparim të mirë me rënie në përqendrimet e ndotësve të ajrit, por dhe disa lajme shumë të këqija. Shumë jetë janë ende duke u shkurtuar para kohe nga cilësia e dobët e ajrit.”
Komisioni Europian publikon çdo 5 vjet raportet mbi gjendjen e mjedisit. Dokumenti për Shqipërinë,i hartuar nga Agjencia Europiane e Mjedisit, bazohet në të dhënat e raportuara, sipas ligjit, nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, institutet kërkimore të kontraktuara prej saj e ministritë e linjës dhe synon ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet, duke dhënë situatën e treguesve kryesorë të mjedisit për ajrin, ujin, biodiversitetin, tokën, pyjet, apo ndryshimet e klimës.
Krahasuar me vitin 2010, Shqipëria njeh progres në përgjithësi për menaxhimin e problemeve të mjedisit, por shumë më tepër përpjekje kërkohen për zbatimin e legjislacionit të miratuar në këtë fushë. Histori suksesi konsiderohet plotësimi i kuadrit ligjor kombëtar për menaxhimin e integruar të mbeturinave në përputhje me direktivën e BE-së. Cilësia e ujrave bregdetare vlerësohet e përmirësuar falë investimeve në infrastukturën e trajtimit të mbeturinave ujore.
Plazhet renditen për cilësi të mirë dhe të shkëlqyer (A & B). Parametrat kimikë rezultojnë brenda kufijve të lejuar të BE-së edhe për monitorimin e ujrave tokësore. Në gjetjet kryesore veçohet vëzhgimi për cilësinë e ajrit në zonat urbane, ku gjatë periudhës 2011-2013, në Tiranë u shënua një rënie 20-30% e nivelit të përqëndrimit të grimcave të dëmshme (PM10 dhe PM2.5), falë masave shtrënguese mbi automjetet e përdorura.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel