Mustafa Nano – Koha pas 23 qershorit 2013 do të duhej të ishte koha e Tom Doshit, ngaqë ka dhënë përshtypjen se të gjitha i bënte, ashtu si dhe kolegët e tij socialistë, për të bërë të mundur të vinte ajo ditë.
Por jo, s’paska qenë e thënë. Nuk është koha e tij. U bë kohë që është marrë vesh se nuk është koha e tij. Është vetë Toma që ka demonstruar qysh herët (gjithnjë pas 23 qershorit) se jeton mes një parehatie. Askush nuk e di se çfarë ka. Ose le të themi që mund të ketë njerëz që e dinë, por ai vetë nuk ka shpjeguar ndonjë gjë. Tani, diçka ka lënë të kuptohet, pasi ka pickuar tek-tuk, ka përmendur emra, mes të cilëve edhe atë të drejtoreshës së Tatimeve, ka shprehur pakënaqësi për ministrat që nuk ia hapin telefonin e për Kryeministrin që nuk e ka begenisur, por këto gjëra, nga mënyra se si i ka thënë, nuk ia justifikojnë sëkëlldinë. Për më tepër, lënë vend për shpjegime që nuk e nderojnë Tomën.
Por asëll-asëll, ende nuk e kemi të qartë situatën. E ndoshta nuk kemi për ta pasur të qartë asnjëherë. Personalisht, as që do të doja t’i merrja vesh motivet e shpërthimit të Doshit kundër Ramës, pasi jam i prirë të besoj, madje të vë dorën në zjarr, që motivet e karfosjes janë banale, pasi e tillë, banale, ka qenë dhe është marrëveshja mes të dyve në bashkëpunimin që kanë pasur. E në këtë kuptim, nuk kam as kureshtjen më të vogël në pritje të ditës, kur Toma do të zbrazet kundër Ramës. Veçse Toma duhet ta dijë se nuk na befason dot. Në të gjitha rastet do të thotë gjëra që ne, edhe pse s’i dimë, i marrim me mend. Kush është ai shqiptar që e paska ende aftësinë për t’u tronditur? Kanë ndodhur aq shumë gjëra të rënda në këtë vend, sa neve na është bërë lëkura shollë. Pastaj, duhet të jemi të sigurt se dita apo ora, kur Toma do të zbrazet, nuk ka për të ardhur kurrë. Toma, dëgjomëni mua, nuk ka për t’u zbrazur!
Ai u kap nga kamerat, teksa bënte ca gjeste të çuditshme me duar në drejtim të Kryeministrit. Disa që pretendojnë se e njohin mirë gjuhën e trupit të Tomës, janë të sigurt se me atë lëvizje të prerë të dorës vertikalisht poshtë, me pëllëmbën e kthyer nga vetja, ka dashur t’i thotë Kryeministrit se “kam për të të shqepur në dru”. Të ketë pasur këtë gjë në mendje, vallë? Me atë lëvizjen tjetër të dorës, të cilën ne të tjerët e bëjmë për t’i thënë dikujt në formë pohuese a pyetëse se “ka dalë mendsh”, Toma ka dashur t’i thotë Kryeministrit se “ka për ta bërë Toma që t’i ikë truri”. Dhe me sy shihte nga një bllok, që e mbante në të majtë, duke lënë të kuptohet se të gjitha aty i kish, në bllok. Por këtë mesazh të fundit nuk është se e la të maskuar pas gjestesh vuve. Përkundrazi, doli para gazetarëve që prisnin te porta e Kuvendit, dhe në thelb deklaroi, më saktë deklamoi, se “kish shumë gjëra të rëndësishme për të thënë lidhur me Ramën, dhe se po të hapte gojën, do të tronditej dynjaja”. Ekziston ideja se opinioni publik apo edhe ne që e përfaqësojmë, a i japim zë këtij opinioni (ashtu si e përfaqësojmë dhe aq zë sa i japim), duhet të ushtrojmë presion që Toma ta hapë gojën.
Unë e thashë se jam i sigurt që Tom Doshi nuk ka për ta hapur gojën. Nëse ka gjëra për të thënë, kuptohet. Se nuk duhet përjashtuar rasti që të ketë bërë një bluff. Nëse dikush do marrë përsipër të bëjë një peticion drejtuar Tomës, ku këtij të fundit t’i bëhet lutja që ta hapë thesin, unë do ta nënshkruaja ndër të parët. Jo nga kureshtja për të marrë vesh sekretet e Tomës, por nga dëshira për të mos jetuar mes sëkëlldisë së shkaktuar prej një shantazhisti. Dhe është pikërisht kjo që ka ndodhur këto dy ditë. Nuk janë sekretet e hamendësuara të Tomës që të shqetësojnë. Përkundrazi, të shqetëson ideja se dikush është i sigurt se mund ta shantazhojë Kryeministrin e vendit. Vini re: nuk është dikush që denoncon. Këtë rast ku ta gjenim! Është dikush që kërcënon se do të denoncojë. Këtë rast duhet ta refuzojmë me neveri. Denoncuesit janë të mirëpritur, por nuk duhet të lejojmë të na e bëjnë jetën makth lloj-lloj shantazhistësh. Prandaj, Tom Doshi ia ka borxh publikut që të flasë. Në mos, do të bënte mirë të mos e hapte më gojën. E nëse Tom Doshi vijon të flasë në të njëjtën mënyrë, duke bërë shantazh, do të ftoja kolegët e mi të mos ia vinin më mikrofonin te goja. E në këtë pikë, do të ftoja kolegët e Tomës, gjithashtu, të mos na hapnin barkun me tezën se “kjo e Tomës, është përveç të tjerash, provë e demokracisë së brendshme në PS” (!!!). Demokraci e leshit!
Por në këtë mes, ka diçka tjetër për t’u bërë. E kish thënë Mero Baze në një artikull që kish shkruar pardje në të nxehtë, teksa nënvizonte mesazhin se “Kryeministri duhet të dëshmojë se është i pashantazhueshëm, e duhet të tregojë vendosmëri të bëjë betejë kundër shantazhit politik”. Unë këtu do të shtoja. Nuk ka rëndësi se çfarë meraqesh mund të ketë Kryeministri në rrethanat që Toma do të çalltisë të zbrazet mirë e mirë. Nuk e përjashtoj që të ketë meraqe të tilla. Por sido që të jetë puna, pafuqia e një Kryeministri për t’i thënë “jo” një shantazhi apo gatishmëria për të jetuar mes shantazhit, e turpëron atë dhe ia lidh duar e këmbë, më shumë se çdo gjë e ndyrë që mund të ketë bërë. E nëse ai nuk e sheh kështu, është opinioni publik që ka nevojë ta shohë kështu. Është opinioni publik që e ka më të ngjërueshëm një kryeministër që ka bërë ndonjë zullum, e që këtë zullum ia denoncojnë, sesa një kryeministër që ndodhet gjithë kohën nën shantazh. Unë vetë, ndonëse e di se zullumi e shantazhi lidhen me njëri-tjetrin, preferoj një kryeministër zullumqar përpara një kryeministri të shantazhueshëm. Për aq sa këta dy lloje kryeministrash mund të ndahen e për aq kohë sa nuk kam një opsion të tretë.
Me këtë dua të them se është Rama që duhet ta inkurajojë Tom Doshin të hapë gojën, e të thotë çfarë ka për të thënë. Në mos, të marrë një vendim politik për t’u ndarë nga Tom Doshi njëherë e mirë. E nga të gjithë ata që kërkojnë ta ngrenë mbi shantazhin karrierën e tyre politike.
Top Channel