Opozita nis turin paraelektoral; Basha në Lezhë, akuza qeverisë

28/02/2015 00:00

Lulzim Basha ka zgjedhur fshatin me emrin e një shenjtori në Lezhë për të nisur turin paraelektoral, që finalizohet me votën e 21 qershorit. “Shpresoj që me ndihmën e Zotit, Shën Kollit dhe banorëve të Shën Kollit të na shkojë mbarë”, tha Basha.

Në Shën Koll, Zadrimë dhe pastaj në Lezhë, Basha, për të cilin zgjedhjet e qershorit janë edhe testi i tij i parë në krye të opozitës, e konsideroi këtë një tur të së vërtetës. Të vërtetat që ai dëgjon nga qytetarët dhe që sipas kryetarit të opozitës nuk kanë lidhje me propagandën qeveritare.

“E vërteta është përkeqësimi, tkurrja, varfëria dhe papunësia si asnjëherë më parë. Braktisje dhe shpërfillje e madhe e atyre që erdhën dhe morën votën këtu dhe tani nuk ke ku t’i gjesh. E keqja ulërin më shumë sesa indinjata jonë nga foltoret e Tiranës. Denoncimet që i vijnë kësaj qeverisjeje janë kthyer në një uragan revolte dhe zemërimi”, deklaroi Basha.

Megjithëse është një tur paraelektoral, premtimet nuk kanë munguar. Ato kanë të bëjnë me ekonominë e qytetarëve, duke u bazuar tek taksat e ulëta dhe punësimi. Më aktualja është energjia elektrike, çmimi i saj dhe sjellja e qeverisë.

“Dhe pastaj sulen mbi qytetarët për t’u marrë kacidhen e fundit, bukën e gojës të fëmijëve të tyre. Ne nuk do ta pranojmë këtë. Ne jemi të vendosur për të kërkuar uljen e çmimit të energjisë, për faljen totale të kamatvonesave dhe kamatvonesave abuzive. Ndaj, sot ju them shqiptarëve nga Lezha se ky është premtimi ynë dhe përballja jonë e ardhshme në Tiranë”, u shpreh Basha.

Tani për tani, e rëndësishme për kryetarin e opozitës është që ajo të flasë me zërin e shumicës së qytetarëve, atyre që ai i cilëson si qytetarët e mashtruar dhe qytetarët e pakënaqur. Me këtë strategji, Lulzim Basha synon të shndërrojë zgjedhjet lokale në një referendum anti-qeveritar.

“Qeveria Rama-Meta identifikohet masivisht, jo vetëm nga demokratët por nga çdokush, jo si zgjidhja por si problemi. Në fakt, si problemi i problemeve. Edi Rama është sot një kryeministër i rrëzuar në pritshmëritë popullore, në çdo aspekt të qeverisjes së tij”, tha Basha.

Platforma për rivendosjen e shtetit ligjor, që kreu i opozitës e quajti “Demokracia e re”, përfshin edhe përzgjedhjen e kandidatëve të ndershëm dhe me integritet për 61 bashkitë e vendit, një proces ky që do të nisë pak ditë më vonë në Partinë Demokratike.

Top Channel