Elbasan, prodhonin e shisnin drogë, pesë në pranga

27/02/2015 00:00

Pesë persona janë arrestuar si edhe është shpallur një tjetër në kërkim pasi akuzohen për veprat penale prodhim dhe shpërndarje e lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim.

Operacioni i koduar “Vazhdimi” bëri të mundur arrestimin në flagrancë të Spiro Sadushi 20 vjeç,  Manushaqe Sadushit, 65 vjeç, Rudina Sadushit 45 vjeç që të tre banues në Elbasan dhe të afërm me njëri-tjetrin, si edhe Erind Miraka 23 vjeç e Andi Braçja 20 vjeç me banim në Gramsh, ndërsa është shpallur në kërkim personi me iniciale S.S.

Në vijim të këtij operacioni ka nisur proçedimi penal edhe për Ervin Besim Basha, 32 vjeç me banim në qytetin e Gramshit i cili aktualisht është duke kryer dënimin për veprën penale  trafik armësh e municionesh në burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit, i dënuar me tetë vite heqje lirie.

Mësohet se ky i fundit në bashkëpunim me personat e sipërpërmendur bënin shpërndarje të lëndëve narkotike kokainë, heroinë dhe kanabis sativa në qytetet Gramsh dhe Elbasan dhe direktivat në të shumtat e rasteve kryheshin nga qelia, ku edhe është 32-vjeçari.

Gjatë operacionit Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1.800 gram heroinë, 380 gram kokainë, 3 gram kanabis sativa, 670 fishekë model 56 të kalibrit 7.62mm, 400 euro, 7 aparate telefonash celularë, dy peshore elektronike të cilat përdoreshin për peshimin e lëndës narkotike.

Policia po heton për të zbardhur të plotë ngjarjen si edhe për të bërë të mundur nëse ka apo jo të tjerë persona në këtë rrjet.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel