Kosovë, arrestohen 4 shqiptarë të dyshuar për vepra të ndryshme kriminale

26/02/2015 00:00

Policia e Kosovës, respektivisht njësitet antidrogë të saj, pas hetimeve disamujore kanë realizuar me sukses një operacion policor, ku janë arrestuar 4 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, të gjithë shtetas të Republikës së Shqipërisë, të cilët identifikohen me inicialet B.M. (1959), Y.H. (1961), G.M. (1991) dhe N.M. (1987).

Arrestimi i tyre është bërë të mërkurën, në orën 20:05, në fshatin Gllarevë të komunës së Klinës, me dyshimin se kanë kryer veprat penale të “blerjes”, “posedimit”, “shpërndarjes” dhe “shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. Por nuk mungojnë as vepra penale si “mbajtja në pronësi”, apo “posedim të paautorizuar të armëve”, etj.

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë aksionit policor janë konfiskuar mbi 18 kilogramë substancë narkotike e llojit marijuanë, 1305 fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy automjete, 9 telefona celularë, dy peshore dixhitale, një pajisje për presimin e narkotikëve, 5 ngjitës për mbështjelljen e narkotikëve, dy folie të bardha për mbështjelljen e tyre.

Sendet e konfiskuara janë gjetur në pronën e një të dyshuari tjetër dhe përreth saj, i cili ndodhet në arrati, por që është identifikuar me inicialet I. H. Katër të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel