
Pas paralajmërimeve të Francës edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur edhe një herë se, në rast të mos respektimit të marrëveshjeve të arritura në Minsk, Moska do të përballet me sanksione shtesë, të cilat do të jenë më të rëndë.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën se deri tani Rusia nuk i ka respektuar marrëveshjet dhe nëse do të vazhdojë në këtë rrugë, atëherë pasojat do të jenë të mëdha për të.
“Ne kemi kërkuar zbatimin në total të marrëveshjeve të nënshkruara në Minsk, në veçanti tërheqjen e të gjitha trupave të huaja dhe armëve të rënda nga Ukraina Lindore. Deri tani Rusia nuk është angazhuar për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Nëse kjo situatë do të vazhdojë, do të ketë pasoja të mëtejshme që do të rrisin presionin mbi ekonominë, tashmë të brishtë të Rusisë”, ka thënë Kerry.
Ndërkohë edhe Franca paralajmëroi pa doreza Rusinë, se çdo sulm i rebelëve ndaj Mariupolit do të kishte pasoja të rënda për Moskën. Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius, shpjegoi se çfarë nënkuptohet me këtë pohim: nëse separatistët guxojnë të mësyjnë sërish qytetin portual të Ukrainës, atëherë Europa do të marrë në konsideratë zgjerimin e sanksioneve.
“Ia thamë hapur rusëve, se po pati një sulm tjetër të separatistëve në Mariupol, gjërat do të ndryshojnë në mënyrë drastike, e me këtë nënkuptoj edhe mundësinë e shtimit të sanksioneve”, tha të mërkurën Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës.
Top Channel