PD: T’i hiqet mandati Kokëdhimës

25/02/2015 00:00

Demokratët kërkojnë riperseritjen e rastit të Ilir Beqajt në 2009, duke
kërkuar që për të njëjtën akuzë t’i hiqet mandati deputetit tjetër të
Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima.

Partia më e madhe e opozitës ka depozituar pranë Kuvendit një mocion për mbarimin e mandatit të deputetit socialist të qarkut të Vlorës. Sipas kësaj kërkese, Kokëdhima është përfitues i fondeve publike në të paktën 150 raste, çka është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Ne kemi arritur në konkluzionin, bazuar mbi fakte e argumenta dhe pas një pune disamujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga departamenti anti-korrupsion në Partinë Demokratike, se deputeti Koço Kokëdhima ka përfituar fonde publike nga pasuria e qytetarëve të vendit. Kjo është rreptësisht e ndaluar nga Kushtetuta dhe sjell automatikisht përfundimin e mandatit të tij”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

Demokratët i kërkuan kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që të vërë në lëvizje të menjëhershme Këshillin e Mandateve dhe Rregullores, për të shqyrtuar kërkesën e tyre, duke i kujtuar se për rastin “Kokëdhima” vendimmarrja është e gatshme për shkak të preçedentit “Beqaj”, për të cilin vendimi u mor nga Gjykata Kushtetuese.

Bashkangjitur kërkesës, PD ka shpërndarë edhe faturat që provojnë sipas saj se deputeti ka marrë para nga shteti, si bashkaksioner në kompaninë që në QRK rezulton se ai e ka lënë më 2 shkurt 2014. Shitja e aksioneve prej tij në këtë datë, shton PD, është bërë pa deklaratë noteriale, çka kërkon gjishashtu hetim.

“E pavarësisht kësaj, Kokëdhima ka përfituar para nga punët publike edhe përpara datës kur ka shitur aksionet, në dhjetor 2013 dhe janar 2014. Këto të dhëna e bëjnë rastin “Kokëdhima” shumë herë më të rëndë se ai “Beqaj””, thotë PD, duke kërkuar dhe heqjen e mandatit të deputetit.

Top Channel