Tom Doshi: Ministrat nuk na përfillin. Ruçi: Shqetësimet thuaji kur të vijë Rama në grup

24/02/2015 00:00

Mbledhja e përjavshme e grupit parlamentar të Partia Socialiste nën
drejtimin e Gramoz Ruçit ka zgjatur vetëm 20 minuta, por mjaftueshëm për
të prodhuar polemika.

Në fokus të fjalës të kryetarit të grupit Ruçi ishte rendi i ditës për seancën parlamentare të së enjtes. I vetmi deputet i cili ka kërkuar fjalën ishte ai i qarkut Shkodër, Tom Doshi. Një prej deputetëve socialist i tha Top Channel se kolegu i tij Doshi ka folur përpara grupit, me tone kritike për disa ministra.

Sipas Tom Doshit, disa ministra të kabinetit Rama vijojnë ende të mos jenë bashkëpunues me deputetët, një shqetësim i kahershëm ky i deklaruar prej tij. Tom Doshi është shprehur se “deputetët nuk duhet të begenisen vetëm për fushata elektorale dhe se ministra të caktuar nuk i ngrenë telefonin deputetëve të cilët përballen me problematika të ndryshme me bazën”.

Gramoz Ruçi ka ndërhyrë duke u shprehur se këto shqetësime Doshi duhet t’i paraqesë në mbledhjet e ardhshme kur të jetë i pranishëm Kryeministri Edi Rama. Por Doshi nuk është kënaqur me këtë përgjigje të Ruçit duke ngulmuar se “ata ministra të cilët kanë performuar dobët gjatë  1 vit e gjysmë qeverisje duhet të largohen”.

Tom Doshi gjatë mbledhjes së grupit nuk ka folur me emra konkret ministrash.

Kjo nuk është hera e parë kur ligjëvënësi socialist i Shkodrës shpalos hapur pakënaqësi për punën e ministrave. Gjatë vitit të shkuar Doshi shprehu pakënaqësi në mënyrë specifike për ministrin e Brendshëm Tahiri, pakenaqesi qe çuan ne bojkotimin e nje votimi te rendesishem ne Kuvend.

Top Channel