Ai është njëri prej kritikëve më të mëdhenj të aleancës PDK dhe LDK, të cilën e ka quajtur edhe “aleanca e baltës”. Për të shprehur qëndrimin e tij për situatën ekonomike dhe politike në Kosovë, rajon dhe në Europë, pjesa e tretë e “Shqip” solli një intervistë me Akademikun Rexhep Qosja.
Rudina Xhunga: Ndalemi pak në rajon, Tsipras në Greqi, ishte sipas jush njeriu ideologjik, njeriu me parime, njeriu se tregoi se kush guxon fiton, i një Europe prej së cilës duhet mësuar, qoftë nga ata që pretendojnë pushtetin si të rinj në Shqipëri edhe ata në Kosovë por që sdurojnë dot dhe kujtojnë se mund të bësh aleancë me këdo.
Rexhep Qosja: Unë mendoj se ai është një formacion i rëndësishëm jo vetëm për Greqinë, por edhe për Europën. E para sepse sjell një politikë të re, e dyta sepse sjell një etikë të re në politikë. Ne jemi mësuar të kemi politikë pa etikë. Emanuel Kanti thotë se herët a vonë politika pa etikë dështon. Ata sollën një etikë të re dhe në atë etikë të tyre, ata i sollën besimin popullit. E keni parë çfarë bën? 700 vetura të administratës së qeverisë së mëparshme i nxorrën në shitje, veturën 750 mijë euro të kryeministrit të mëparshëm e nxorën në shitje. E dini se me çfarë shkojnë në punë ata? Me veturat e veta.
Rudina Xhunga: Atëherë na duhet të rikthejmë marksizmin?
Rexhep Qosja: Jo. Mendoj se në radhe të parë ata janë socialdemokratë. Ata po mbrojnë dhe krijojnë një model të ekonomisë atdhetare, jo të ekonomisë neoliberale. Çfarë është ekonomia atdhetare? Mospajtimi me privatizimin e çdo gjëje. Neoliberalizmi ka sjellë varfërimin e tmerrshëm të të varfërve dhe pasurimin e paarsyeshëm të të pasurve.
Rudina Xhunga: Kosovën si e shikoni 8 apo 10 vjet më pas, apo gjërat do të vinë drejt bashkimit, drejt bashkëpunimit në fillim në ekonomi e mandej në të gjitha. Çfarë shikoni ju përtej, çfarë shikoni ju që këta njerëzit që po ikin nuk e shikojnë?
Rexhep Qosja: Unë para ca kohësh shkrova se Kosova e sotme nuk është Kosova që kam ëndërruar. Pse? Sepse ka shumë padrejtësi në Kosovë, demokracia parlamentare është një mbulesë, një mbulesë e një realiteti politik jodemokratik. Në shtetin e së drejtës përfshihet edhe e drejta sociale, nuk përmendet kurrkund kjo. Të zbatohej kjo e drejtë sociale, njerëzit nuk do të iknin kaq lehtë, nuk është e lehtë të lësh shtëpinë, tokën, është shumë e vështirë.
Rudina Xhunga: Po ju nuk do e lini kurrë Kosovën?
Rexhep Qosja: Nuk do e lë natyrisht. Është lehtë ta duash Amerikën, Francën, Anglinë, Gjermaninë, janë shtete të mëdha dhe të pasura, por ta duash Kosovën dhe Shqipërinë bashkë është atdhetarizëm i vërtetë.
Rudina Xhunga: A është i pashmangshëm bashkimi i shqiptarëve?
Rexhep Qosja: Është mendim që e kam mbrojtur gjithmonë në shkrimet e mija, shqiptarët të bashkohen. Ideja e bashkimit të shqiptarëve është forca që e ka lëvizur historinë shqiptare. Kjo ide e ka çuar Kosovën tek liria dhe pavarësia që ka sot. Ushtria Çlirimtare e Kosovës hyri në luftë me këtë ideal, me këtë ide të madhe. Mendimi për një jetë më të mirë të shqiptarëve është edhe arsyeja pse nuk mund të heqim dorë prej kësaj ideje, ideja e bashkimit të shqiptarëve, e cila pashmangshmërisht do të ndodh një ditë.
Top Channel