Rama sot në Estoni për konferencën Lennart Meri 2026, takime edhe me drejtuesit më të lartë të shtetit
Partia Demokratike, me anë të deputetes Valbona Mezini denoncoi këtë të
shtunë, një ngjarje të ndodhur në Vlorë, ku një 56-vjeçar i dha fund
jetës, pasi sipas PD, shkak ishte mbifaturimi i energjisë elektrike dhe
pamundësia për ta paguar atë.
“Llazi Nasi, baba i tre vajzave, i ka dhënë fund jetës, pasi OSHEE e njerëzit e saj e kishin futur në një rrugë pa dalje, duke e mbifaturuar me shuma të papërballueshme për të. Familjarët e viktimës dëshmojnë se ai ishte ankuar disa herë për faturën e padrejtë, 10 herë më të lartë se sa shënonte matësi”, thuhet në reagimin e PD-së.
Partia Demokratike akuzon OSHEE-në dhe qeverinë për plagën e madhe sociale, që sipas saj, po krijojnë.
“Pothuajse cdo ditë raportohen akte dëshpërimi të qytetarëve përballë kësaj sjellje antihumane të qeverisë dhe OSHEE, që nuk kanë sy të shohin e vesh të dëgjojnë.Ata nuk po u lënë qytetarëve asnjë zgjidhje tjetër përpos errësirës e burgut. Dhe për fat të keq, e gjitha kjo po merr dhe jetë njerëzish.56-vjeçari u vetëflijua, duke lënë një akuzë të fortë e të drejtpërdrejtë për Edi Ramën dhe OSHEE-në e keqbërësve të tij”, thuhet në reagim.
Vetëm disa orë më vonë erdhi edhe reagimi i OSHEE-së, ku thuhej se i ndjeri kishte lidhur kontratë për të paguar me këste mujore detyrimet e prapambetura dhe se pretendimi se faturimi për të ndjerin ishte shumëfish i vlerave normale është i pabazuar dhe i pavërtetë.
Top Channel