Projektligji për Gjykatën Speciale të Kosovës, hartuar nga BE, nën lupën e avokat Gashit

19/02/2015 00:00

Drafti i ligjit për Gjykatën Speciale, që është hartuar nga Bashkimi Evropian, parashikon funksionimin e të ashtuquajturave “Dhoma të Specializuara dhe Prokurorisë së Specializuar” në kuadër të sistemit gjyqësor kosovar, por si të pavarura nga çdo nivel i sistemit të gjykatave në Kosovë.

Ato do të kenë përparësi ndaj çdo gjykate kosovare dhe selia e tyre mund të jetë në Kosovë, edhe jashtë saj. Gjykata do të ketë juridiksion mbi nënshtetasit kosovarë ose të ish-Jugosllavisë.

Në lidhje me përgjegjësinë penale individuale, në draft shkruhet ndër të tjera se “pozita zyrtare e të akuzuarit, qoftë si kryetar shteti, kryeministër apo zyrtar i qeverisë, nuk e liron dhe as ia zbut dënimin. Kjo nuk do të ndodhë as për eprorët, në rastet e veprimeve të kryera nga vartësit e tij”.

Sipas avokatit Tomë Gashi, i cili prej vitesh merret me mbrojtjen e të akuzuarve në proceset për krime lufte, ky dokument është ekuivalent me bazën ligjore të Tribunalit të Hagës.

Në momentin që institucionet kosovare e miratojnë dokumentin e sponsorizuar nga Brukseli, asnjë instancë e shtetit të Kosovës nuk ka më asnjë lloj mbikëqyrjeje mbi punën dhe mbarëvajtjen e Gjykatës Speciale.

“Kjo vetëm do t’i gjykojë krimet e pretenduara të kryera apo të filluara, siç thonë në territorin e Republikës së Kosovës, dhe pastaj ato krime të pretenduara mund të kenë vazhduar edhe diku tjetër, që aludohet në Shqipëri. Domethënë kemi të bëjmë me raportin e Dick Marty-t, por jo vetëm me të. Kjo nuk ka të bëjë as me territorin e Kosovës dhe as me ligjet e Kosovës, sepse Gjykata e specializuar do të ketë mundësi në baza ligjore, që sigurisht do të miratohen nga Kuvendi i Kosovës, që ata vetë të nxjerrin rregullore, të cilat do të kenë vlerën e ligjit”, tha Tomë Gashi, avokat.

Sipas Gashit, në Gjykatën Speciale i gjithë stafi, qoftë prokurorial apo gjyqësor, do të jetë i huaj. Shqiptarë në këtë institucion, sipas tij, do të jenë vetëm të akuzuarit, si dhe ndonjë avokat mbrojtës.

“Nëse dikush paraqet kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë, të secilit nen të këtij ligji për Gjykatën Speciale, atëherë lidhur me ato pretendime të kushtetutshmërisë do të vendosin tre gjyqtarë ndërkombëtarë, thënë më shqip, të huaj”, tha më tej Tomë Gashi.

Sipas draftit aktual, Gjykata Speciale do të merret me krimet e pretenduara se kanë ndodhur nga 1 janari 1998 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa personat e dyshuar janë komandantë të UÇK-së.

“Me siguri thuhet, që do të jenë elita e ish-udhëheqësve të dyshuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ka zëra që pretendojnë se kjo Gjykatë duhet të merret edhe me të ashtuquajturat vrasje politike dhe, ndoshta, edhe me rastet e krimeve të organizuara të nivelit tepër të lartë, me të cilat pretendohet se sistemi i brishtë juridik i Kosovës nuk ka pasur guxim të merret”, tha Tomë Gashi.

Gjykata Speciale do të ketë mundësi që të rigjykojë të gjitha rastet, që pretendohen nga ndonjë palë se nuk janë gjykuar drejtë nga ana e Gjykatave të Kosovës. Por kjo nuk do të vlejë edhe për rastet e gjykuara nga Tribunali i Hagës.

Sipas draftit të ligjit, dokumentet e Gjykatës Speciale nuk konsiderohen dokumente publike të Kosovës dhe, si të tilla, shteti asnjëherë nuk do të ketë qasje tek ato, as pas mbylljes së Gjykatës.

Afati i punës së Gjykatës Speciale ende nuk është përcaktuar, por avokati Gashi mendon se puna e saj do të zgjasë minimumi 5 vjet. Në rast se brenda afatit të punës së kësaj gjykate, ndonjë rast mbetet në procedurë, ai nuk do t’i bartet gjykatave të Kosovës, por ndonjë gjykate të vendeve evropiane.

Po ashtu, sipas ligjit, të gjithë të dënuarit nga kjo Gjykatë nuk mund të falen nga Presidenti i Kosovës dhe dënimin do ta vuajnë jashtë Kosovës. Dënimet e kësaj Gjykate, sipas ligjit, parashikohen të jenë deri edhe me burgim të përjetshëm.

Top Channel