Itali, shqiptari kapet me 30 kg drogë: Kujtoja se ishte miell

19/02/2015 00:00

Policia italiane sekuestroi një sasi prej 30 kilogramësh lënde narkotike të llojit heroinë dhe prangosi një shtetas shqiptar në qytetin e Padovas.

Droga u gjet e fshehur në papafingon e banesës ku jetonte 56-vjeçari shqiptar me inicialet R.E, që sipas autoriteteve italiane ka vendlindje rrethin e Elbasanit.

Shtypi italian raporton se shqiptari i arrestuar rezulton të jetë i pa punë, jeton te disa të afërm të tij së bashku me familjen, me bashkëshorten, nusen shtatzënë, djalin dhe mbesën.

Menjëherë pas arrestimit shqiptari ka mohuar lidhjen e tij me drogën që gjendej në çanta, duke thënë se kujtonte se ishte miell. Ai ka deklaruar para agjentëve se “miellin” ia dërgonte zakonisht një bashkëkombësi të tij, të cilin nuk e njihte dhe nuk mund ta përshkruante fizikisht.

Nëse lënda narkotike do të shitej në tregun e shumicës, ajo arrinte vlerën prej 600 mijë eurosh, ndërsa në tregun e pakicës vlera e saj kap deri në 2 milionë euro.

Top Channel