Presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se ishte e pritshme që luftimet të vazhdonin pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes së armëpushimit.
Ai ka shtuar se ka patur një “reduktim të ndjeshëm” të intensitetit të luftimeve që prej momentit të hyrjes në fuqi të armëpushimit në fundjavë.
Putin foli gjatë një vizite në Hungari, ai tha se konflikti nuk mund të zgjidhet me mjete ushtarake. Presidenti i Rusisë shtoi se rebelët duhet të lejojnë forcat ukrainase të dalin nga qyteti lindor i Debaltseve-s, por sipas tij Kievi nuk t’i detyrojë ushtarët të vazhdojnë të luftojnë.
Raportime të ndryshme flasin për luftime të ashpra të zhvilluara gjatë gjithë ditës së martë për kontrollin e qytetit të konsideruar strategjik të Debaltseve-s. Rebelët thonë se kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit, por ushtria ukrainase thotë se nuk ka lëvizur prej pozicioneve të saj.
Vëzhguesit ndërkombëtarë, të ngarkuar me detyrën e vështirë të mbikëqyrjes së respektimit të marrëveshjes në terren, thonë se e kanë të pamundur të hyjnë në qytet.
“Sot bota duhet të ndalojë agresorin. U bëj thirrje anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të parandaluar shkeljet e mëtejshme të parimeve dhe rregullave të OKB-së”, ka thënë Poroshenkos gjatë së martës pas një bisede me Kancelaren gjermane.
Ndërkohë, të martën Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i bëri thirrje të gjitha palëve në Ukrainën Lindore për të ndalur luftimet dhe të zbatojnë marrëveshjen e paqes.
Top Channel