Përse Bujari e mori nishan Visar Zhitin

18/02/2015 00:00

ANDREA STEFANI – Vendimi i Presidentit Bujar Nishani për të mos emëruar
si ambasador në Vatikan, Visar Zhitin, ka lënë pa gojë jo pak në të
majtë dhe të djathtë të spektrit politik, por edhe shoqëror.

Jo vetëm sepse Zhiti përfaqëson një figurë të njohur të kulturës së këtyre viteve, por edhe për faktin tjetër, që një President i zgjedhur me votat e PD-së nuk jep miratimin e tij për një ish-ministër të PD-së që ka qenë, gjithashtu, edhe i përndjekur politik nga regjimi komunist. Ka dy momente që po habisin dynjanë në odisenë “Zhiti”. I pari është fakti i pazakontë që një Kryeministër i majtë propozon për ambasador një ish-ministër të djathtë (nëse PD-ja mund të quhet e tillë). I dyti është fakti, edhe më i hatashëm, i mosaprovimit të një kandidature të djathtë nga Presidenti “i djathtë”! Tej të gjitha hamendësimeve për cenimin e interesave të njerëzve të ndryshëm nga emërimi i një ambasadori në Vatikan, pa përjashtuar një ndikim të mundshëm të tyre, besoj se shkaku kryesor është një strategji e mosmarrëveshjes dhe tensionit politik që po ndiqet nga lidershipi berishist. Një strategji që lakmon që në Shqipëri të mos ketë kurrsesi mirëkuptim, por vetëm sherre dhe mosmarrëveshje mes forcave politike. Motoja e kësaj strategjie destruktive është: Sa kohë që PD-ja ndodhet në opozitë, Shqipëria nuk duhet të jetë një vend normal! Aq më pak i qetë! Rasti Zhiti, si refuzim i një figure që shumëkush priste të ishte fatalisht konsensuale, e provon këtë. Ai provon njëherazi edhe vendosmërinë e Nishanit për të mbetur njëpartiak dhe paaftësinë e tij për t’u sublimuar si President mbi të gjitha palët.

***

Në sqarimet publike të bëra nga Presidenti Nishani lidhur me refuzimin e kandidaturës së Zhitit, të bie në sy mungesa e parimësisë dhe kalimi nga një justifikim në tjetrin. Në fillim solli si argument faktin që Kryeministri Rama nuk qenka konsultuar paraprakisht me Presidentin. “Visar Zhiti është i propozuar prej Kryeministrit për ambasador në Vatikan pa kushtin themelor, ligjor procedural, të thënë, të njohur, të shpallur dhe të përsëritur; konsultimin paraprak me Presidentin e Republikës” – shkruhet në një deklaratë të lëshuar nga Presidenti. Kemi të bëjmë me një pozicionim me mjaft të meta. Sepse vërtet rezulton që konsultimi paraprak nuk ka ndodhur, por a është ndërkaq ai një kusht “ligjor, procedural” sikundër pretendon Presidenti? Një vështrim i shpejtë i Kushtetutës, ku sanksionohen kompetencat e Presidentit të Republikës, na tregon se ambasadorët propozohen nga Kryeministri dhe emërohen nga Presidenti. Askund, as në Kushtetutë dhe në as një ligj tjetër, nuk gjendet i sanksionuar konsultimi i Kryeministrit me Presidentin si “kusht ligjor”. Konsultimi është mirë të jetë një zakon që, mjerisht, politika jonë nuk ka arritur ta krijojë akoma, por nuk është një ligj. Prandaj duke hedhur poshtë kandidaturën e Zhitit me argumentin se nuk është respektuar një zakon, është vetë Nishani që ka shkelur ligjin.

 

***

“Kryeministri nuk e di se në tryezën e Presidentit asgjë dhe askurrë nuk është thjesht “për firmë”. Me këtë padije kaq të thellë procedurale, Kryeministri provon për të disatën herë një mungesë serioziteti sa të pabesueshme dhe të papranueshme për një Kryeministër”, shkruhet në replikën publike të Nishanit. Mjerisht, pikërisht Nishani ndodhet i zhytur në një padije aq të thellë, sa ka rënë pre e një proceduralizmi fals që injoron përmbajtjen e gjërave. Në këtë rast, ka injoruar personalitetin e Visar Zhitit, që duhet të peshonte më shumë se çdo procedurë në këtë vendimmarrje. Thamë që konsultimi është mirë të rrënjoset si një zakon i mirë. Por në rastin e Zhitit, për shkak të faktorëve që përmendëm më sipër, konsultimi bëhej aq i kotë, sa vetëm dikush që e shikon procedurën qëllim në vetvete dhe jo të lidhur me përmbajtjen, mund ta refuzonte kandidaturën “për shkaqe procedurale” sikundër bëri Nishani. Ose dikush që kërkon ta përdorë procedurën si alibi dhe gjethe fiku të shkakut të vërtetë të refuzimit. Ky mendojmë është rasti me Nishanin. Sepse nuk është “respekti për procedurën” shkaku i vërtetë i refuzimit të Nishanit. Edhe vetë Nishani, duke parë dobësitë e versionit “proceduralist”, tentoi ta justifikojë refuzimin e Zhitit edhe me gjoja fyerjen që ky i fundit i paska bërë kishës katolike! Kjo është, as më shumë dhe as më pak, por ta dënosh Visarin për gabime ideologjike siç ndodhte nën regjimin komunist! Ky kërcim i Nishanit nga një justifikimi në tjetrin, është një përpjekje për të maskuar shkakun e vërtetë të refuzimit të kandidaturës së Zhitit. Dhe ky shkak, duket se duhet kërkuar te besnikëria që Presidenti, krejtësisht në kundërshtim me misionin e tij si simbol i unitetit, duket se mban ndaj strategjisë së mosmarrëveshjes që i imponohet nga lidershipi berishist që e ka bërë President. Dhe nuk duhet harruar, se në sajë të ndryshimeve të Kushtetutës të bëra në prill 2008, Nishani është zgjedhur, në refuzim të vendosur nga Sali Berisha të konsensusit politik, vetëm me votat e shumicës së djeshme qeverisëse.

 

***

Konsultimi është mirë të ndodhë, por nuk mund të jetë faktor vendimtar në vendimmarrjen e Presidentit. Sepse të supozojmë, për një moment, se Kryeministri do të konsultohet, në të tjera raste, me Presidentin duke ofruar kandidatura që këtij të fundit nuk i pëlqejnë. Mos vallë duhet t’i aprovojë vetëm sepse procedura është kryer në rregull?! Padyshim që jo! Është interesi publik që duhet ta bëjë Presidentin të orientohet me përparësi nga përmbajtja. Edhe në rastin e kundërt, që i korrespondon Visar Zhitit, drurët e “procedurës” nuk duhet ta bënin Nishanin të mos shihte “pyllin” e përmbajtjes, personalitetin e Visar Zhitit. Por, më shumë se drurët e procedurës, duket Nishanin e ka penguar kopaçja e mosmarrëveshjes dhe konfliktualitetit politik që ia vringëllijnë nga SHQUP-i.

Mosmarrëveshjet për kursin e politikave ekonomike mund të mos jenë shqetësimi i vetëm i Bashkimit Europian në lidhje me Greqinë. Vec përplasjeve mbi borxhin, qeveria e re greke po kërkon të ringeciojë edhe kushtet e marrëveshjes së gazsjellësit transadriatik, për të rritur përfitimet e Athinës nga projekti.
Edhe pse ka delaruar se qeveria greke e mbështet ndërtimin e gazsjellësit transadriatik, ministri i energjetikës Panajotis lafazanis deklaroi se Greqia do të kërkojë ndryshimin e marrëveshjes në tre pika. Së pari që shteti grek të ketë aksione në projekt, së dyti cmimet e negociuara të gazit për konsumatorët të ulen dhe pika e tretë është ajo e tarifave që greqia kërkon për kalimin e projektit në territorin e saj.
Lëvizjet e Athinës duket se kanë shqetësuar jo pak aksionerët e gazsjellsit i cili kalon përmes Shqipërisë. Kompania shtetërore e gazit në azerbajxhan një nga aksionerët kryesorë në projekt, deklaroi se do ishte e gatshme ti shiste qeverisë greke aksione, por  ka refuzuar dy kërkesat e tjera, atë të uljes së cmimeve për gazin dhe pagesën e tarifave të kalimit për llogari të qeverisë greke.
Në një intereviste për mediat azere, zvpresidenti i kësaj kompanie, Elshad nasirov deklaroi se ulja e cmimeve që tashmë janë negociuar është një kërkesë që bioe ndesh me praktikat ndërkombëtare, ndërsa për sa i përket tarifave që qeveria greke kërkon për kalimin e tubacionit në territorin e saj, Nasirov tha se këtë cështja Athina duhet ta diskutojë me Bashkimit Europian.
Disa media komentojnë se kursi i ri i athinës mund të cënojë sigurinë energjetike në europë, pasi gazsjellësi transadriatik mbështetet fort nga BE për të ulur varësinë e saj nga rusia. Ndërsa disa analistë mendojnë se greqia po e përdor projektin për të marrë lehtësira në bisedimet me Bashkimin Europian për borxhin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA