Pas kërcënimeve të militantëve të ISIS kundër Italisë në një video të shpërndare ditët e fundit, autoritetet po marrin masat për zbatimin e një plani sigurie të nivelit të lartë.
Me sa bëhet e ditur këtë herë kërcënimet ndaj vendit konsiderohen më konkrete dhe nuk nënvleftësohen rreziqet që vijnë nga trafikantët e emigrantëve ilegalë, trafikantë që kanë kërcënuar se do të sjellin qindra mijëra persona në Itali për të krijuar një gjendje kaosi.
Është llogaritur që rreth 200 mijë emigrantë ilegalë mund të sillen brenda një kohe të shkurtër në brigjet italiane; janë vetëm një pjesë e atyre që presin prej muajsh në portet e Libisë më shpresën e një udhëtimi drejt Italisë.
Ndërkohë, Komiteti Kombëtar për Rendin dhe Sigurinë ka propozuar kalimin nga 3.000 në 4.800 të numrit të forcave që vigjilojnë mbi objektivat e ndjeshëm: monumente, ambasada, stacione, aeroporte e nyje të rëndësishme transporti njerëzish e mallrash.
Shumica e ushtarakëve mendohet se do të dislokohen në Romë. Që tani në kryeqytet janë gjithnjë e më të dukshme patrulla të armatosura e me jelekë antiplumb në zonën e ambasadës amerikane apo edhe në zona të tjera të rrezikuara.
Top Channel