Nishani thërret Zhitin. Shkrimtari: Jam i zhgënjyer

16/02/2015 00:00

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka thërritur këtë të hënë në takim kandidatin për ambasador në Vatikan, Visar Zhiti.

Përballë dakordësisë së plotë të politikës dhe opionit publik, Presidenti mesa duket është detyruar t’i japë atij arsyet përse ka bllokuar kandidaturen e tij.

Në një intervistë telefonike për Top Channel, Visar Zhiti shprehu zhgënjimin që kufiri i Presidentit për proçedurat u bë vetëm tek emri i tij. Asnjë tërheqje duket se nuk ka treguar Nishani nga vendimi për të mos e firmosur emrin e Zhitit.

“Presidenti më thirri dhe më priti shumë paqësisht. Kaloi ndoshta një orë, më tregoi vështirësitë që ka ai me institucionet, të cilat nuk konsultohen dhe sipas tij konsultimi është detyrë. Doli edhe tek çështja ime për të cilën më kishte thirrur. Presidenti më tha se ka shkelje proçedure ose mosrespektim të saj. Si e tillë, këtë gjë duhet ta vuaj unë”, thotë Zhiti.

Top Channel: Disa ambasadorë më parë kanë kaluar pa marrë firmën e presidentit dhe pa konsultim

Visar Zhiti: Unë ia thash që në disa raste kanë kaluar pa konsultime dhe me siguri do kalojnë edhe të tjera, sepse nevoja mund të jetë urgjente dhe atdheu ka nevojë për përfaqësim, por më tha se nuk do të të lejojë të bëhet rrugë. Si duket, kufirin e vendosi tek unë.

Top Channel: A ka një arsye përse e vendosi tek ju?

Visar Zhiti: Nuk e di. Ndoshta unë jam nga ata që i ka caktuar fati të mos kenë fat.

Top Channel: Por kur e vendos këtë proçedurë vetëm tek ju, a ka diçka që presidenti duhet ta nënkuptojë?

Visar Zhiti: Unë nuk jam në lartësinë e zgjuarsisë së presidentit, nuk e kapa dot ku e kishte. Unë kam zgjuarsinë e thjeshtë të qytetarëve dhe nuk e gjeta dot ku është thelbi. Më erdhi mirë që më priti, por ika i dëshpëruar që nuk mund të kalohet kjo gjë prej tij.

Top Channel