Palermo fitore bindëse 3-1 Napolin, fiton edhe Fiorentina

15/02/2015 00:00

Palermo arriti të ngjitet në vendin e 7 në Serie A, pas fitores bindëse 3-1 ndaj Napolit, duke u dhënë “të kaltërve” një goditje ndaj shpresave të tyre për të kapur Romën dhe për të siguruar një vend në Champions vitin e ardhshëm.

Achraf Lazaar lëshoi një silur nga një distancë e largët, vetëm 14 minuta nga fillimi i takimit, ndërkohë që Franco Vazquez dyfishoi shifrat brenda pjesës së parë. Luca Rigoni thuajse i dha fund çështjes së rezultatit me të filluar 45-minutëshi i dytë, duke mos e lejuar Napolin aspak të përpiqej të ngushtonte diferencën. Megjithatë, Gabbiadini arriti të shënonte golin e “nderit” për ekipin e Rafael Benitez, i cili ndalet kështu pas 4 fitoresh radhazi.

Salah zbriti për herë të parë si titullar me Fiorentinën, por e nisi këtë aventurë me gol, teksa “viola” mposhti Sassuolon 3-1, një fitore që e ngjit në vendin e katërt. Egjiptiani, i cili erdhi i huazuar nga Chelsea si pjesë e marrëveshjes për kalimin e Juan Cuadrados në Londër, kaloi në avantazh Fiorentinën në minutën e 30, e vetëm dy minuta më vonë Babacar dyfishoi shifrat.

Në pjesën e dytë ishte sërish Babacar që shënoi golin e tretë për Fioren, ndërsa Berardi ishte autori i golit të ngushëllimit për vendasit, në humbjen e dytë gjatë 8 ndeshjeve të fundit. Fiorentina rrit moralin kështu përpara ndeshjes në mesjavë për Europa League.

Top Channel