Milan, Berlusconi i vendosur për të mos e shitur klubin, por aksionerë…

15/02/2015 00:00

Momenti aktual që po kalon Milani është qartësisht i mbushur me vështirësi dhe probleme, por e ardhmja është po aq e mbushur me projekte. E sigurt është se vështirësitë mund të mos përfundojnë automatikisht sapo të konkretizohen disa prej këtyre projekteve, përkundrazi dëshira është që rritja e skuadrës të jetë e pavarur nga zhvillimet e tjera në klub, apo atyre të sektorëve josportivë.

Megjithatë, aktivizimi i shoqërisë kuqezi është një sinjal veçanërisht i rëndësishëm, pasi tregon vullnetin e padronit dhe drejtuesve të tjerë që t’i largohen një orë e më parë situatës zhgënjyese të kohëve të fundit, për të rindërtuar Milanin fitues jo vetëm në Itali, por edhe në Europë.

Për të shmangur vështirësitë ekonomike, shoqëria është vënë në kërkim të kontributorëve të rinj në forma të ndryshme: sponsorizime, zbarkimi në tregje të reja (sidomos në Azi), e sigurisht edhe stadiumi i ri. Por pse jo aksionerëve të rinj?

Prej 3 vitesh familja Berlusconi është treguar e hapur për hyrjen e aksionerëve të rinj në klub, por jo për të kontrolluar shumicën, thjesht aksionerë në minorancë. Problemi i vërtetë është gjetja e investuesve seriozë të parave, që të ndajnë të njëjtat projekte si shoqëria aktuale kuqezi, e që do të kënaqeshin edhe me një rol periferik sa i përket drejtimit.

Dje “Fininvest” ka nxjerrë një deklaratë ku mohonte zërat për ekzistencën e një tratative me një blerës nga Tajlanda, që sipas “Repubblica” do të niste nga kuota prej 30% e aksioneve për të mbërritur më pas në kontrollin total të klubit në 3 vjet. Kjo deklaratë përsërit faktin që po manifestohet vazhdimisht interesim nga investitorë të huaj, ndërsa klubi vijon të jetë i hapur për marrjen në konsideratë të hyrjes së aksionerëve të rinj, por hedh poshtë çdo mundësi që blerësi tajlandez të bindë Berlusconin të shesë fillimisht 30% të aksioneve dhe më pas 70-përqindëshin tjetër.

Top Channel