Kosovë, konstatohet rënie e investimeve të huaja

10/02/2015 00:00

Ministrja kosovare e Industrisë dhe Tregtisë, Hykmete Bajrami, konstatoi se ka një rënie të investimeve të huaja vit pas viti. Bajrami, e cila sapo e ka marrë këtë detyrë, tha se megjithatë po punohet në projekte konkrete për të përmirësuar ambientin e biznesit në Kosovë. Këto komente, ajo i bëri gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik.

“Për tre tremujoret e para të vitit 2014, shuma e investimeve ka qenë rreth 121,7 milionë euro, edhe pse nuk i kemi ende shifrat përfundimtare për të gjithë vitin, ndryshe nga viti 2013 kur kemi pasur investime të huaja në shumën e 258 milionë eurove”, tha Hykmete Bajrami, ministre e MTI-së.

Një tjetër problem është funksionimi i pikave të shitjes së karburanteve. Sipas ministres Bajrami, 34 përqind e pikave të shitjes nuk kanë licence të vlefshme të ushtrimit të veprimtarisë, ndërkaq numri i përgjithshëm i pikave të shitjes së naftës, benzinës dhe gazit është 275.

Sa i përket fuqizimit të sektorit privat, Bajrami theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të kenë mbështetje të drejtpërdrejtë. Ajo premtoi se do të ndahen 3 milionë euro për këto biznese, një milion prej të cilave janë të Qeverisë së Kosovës dhe dy milionë të Bashkimit Europian.

“Janë rreth 18 grante për ndërmarrje e vogla, në shumën prej 25 mijë eurosh, si dhe rreth 15 grante, në shumën prej 200 mijë eurosh, për ndërmarrjet e mesme. Qëllimi i këtyre është që të gjenerojnë vende të reja pune dhe të ngrejnë kapacitetet e konkurrueshmërisë në tregun vendor, por edhe të zhvillohen potencialet për eksport të produkteve. Listat nuk janë finalizuar, është një proces i cili po rishikohet”, tha ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Komisionin parlamentar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA