Dhuna në familje nuk mund të tolerohet. Janë me qindra raste që
regjistrohen çdo vit në Shqipëri të dhunës fizike e psikologjike, që jo
rrallë përfundojnë edhe tragjikisht.
“Shqip” i kësaj të hëne me Rudina Xhungën iu rikthye këtij fenomeni negativ të shoqërisë me një thirrje për të gjitha vajzat dhe gratë që dhunohen për ta denoncuar dhe bërë publike historinë e tyre.
Në pjesën e parë në panel ishin Anila Hoxha, gazetare e Top Channel, Aurela Anastasi, konstitucionaliste dhe nismëtare e ndryshimit të ligjit që ndëshkon dhunën në familje, Fatbardha Hoxhalli nga Qendra Kombëtare e Strehimit të Viktimave të Dhunës, Fabiola Egro, përfaqësuese e rrjetit “Sot për të ardhmen” dhe Silva Alimadhi nga sektori për dhunën në familje në Drejtorinë e Policisë.
E para që mori fjalën ishte Silva Alimadhi. Ajo tha se në 2014-ën ka patur rreth 500 telefonata më shumë në drejtim të numrit 129 të policisë për të denoncuar raste të dhunës psikologjike dhe fizike në familje.
“Policia e Shtetit i kushton një vëmendje të madhe gjetjes së çdo rasti të dhunës në familje. Nuk mund të pretendojmë që duke ulur rastet të themi që nuk ka dhunë në familje”, tha Alimadhi.
“Ne jemi pjesë e një mekanizmi të adresimit të dhunës dhe e njohim njëri tjetrin shumë mirë. Është një numër i policisë, s’ka një numër specifik. Ka disa linja që ofrojnë shërbimin e tyre për adresimin e dhunës. Unë me sa di nga viti i kaluar kemi 4121 denoncime dhe është një numër në rritje krahasuar me vitin e kaluar. Kjo nuk do të thotë që dhuna është rritur. Është një fenomen me përmasa shumë të gjera në Shqipëri, por shifra e denoncimeve tregon që viktimat e dhunës janë ndërgjegjësuar, kemi një ndërgjegjësim dhe kanë nisur të besojnë tek mekanizmat e referimit”, shtoi Fabiola Egro.
“Është një ndërgjegjësim, por asnjëherë gratë e dhunuara nuk e kanë denoncuar që herën e parë dhunën. Është një dhunë disavjeçare. Ato që unë kam trajtuar janë raste që janë denoncuar vetëm kur dhuna është bërë e padurueshme dhe femra ka thënë që i rrezikohet jeta”, deklaroi gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
“Vërtet kemi patur 4 mijë femra që kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje, por a e kanë marrë të gjitha këto urdhërin e mbrojtjes? Shoh një fenomen shqetësues nëpër gjykata, ku gati 60 përqind e femrave që kërkojnë urdhër mbrojtjeje tërhiqen nga çështja. Shumica e tyre nuk shkojnë deri në fund”, shtoi gazetarja Anila Hoxha.
Konstitucionalistja Aurela Anastasi kërkoi më shumë koordinim të institucioneve dhe shoqërisë në rastet e dhunës, sidomos me denoncimin.
“Edhe mjeku që mjekon një rast të dhunës në familje duhet ta denoncojë atë menjëherë dhe të telefonojë policinë. Rrjeti që të funksionojë mirë duhet të funksionojë i gjithë së bashku. Por nuk funksionon gjithmonë kështu”, thotë ajo.
Zonja Anastasi kritikoi zyrat e shërbimeve sociale të bashkive që janë inaktive në shumë vende.
Fatbardha Hoxhalli nga Qendra Kombëtare e Strehimit të Viktimave të Dhunës në Familje sqaroi rastet kur një viktimë e fenomenit bëhet pjesë e kësaj qendre. Ajo tha se strehohen menjëherë femrat që marrin urdhër mbrojtjeje nga gjykatat.
Aurela Anastasi këmbënguli që në rastet kur një grua nuk kërkon urdhër mbrojtjeje dhe është e dhunuar, duhet të merret me patjetër në mbrojtje prej autoriteteve.
Pjesën e dytë paneli u përfaqësua nga dy zonja politikane të kampeve rivale, Elisa Spiropali, politikane aktive në PS dhe Grida Duma nga PD. Si Duma ashtu edhe Spiropali vunë theksin tek mesazhi që përcjell politika tek shoqëria. “Në sallën e Kuvendit dhe jashtë denigrohet figura e femrës, ku paraqitet si një objekt”, tha Spiropali.
Dëshmia e një viktime sistematike e dhunës në familje
Rudina Xhunga: Shumë faleminderit që pranove të bëjmë intervistën. Nuk ka rëndësi zbuluar apo jo, por faleminderit që pranove. Megjithatë dua të të pyes, pse nuk do të dukesh? Nga kush ke problem?
Gruaja: Nuk dua të dukem sepse nuk dua të kem kërcënime mbrapa. Nuk dua të më thonë se mirë që e fute në burg, sepse ai është brenda, po pse dole në televizor.
Rudina Xhunga: Nga njerëzit e burrit, nga njerëzit e tu?
Gruaja: Nga të gjithë njerëzit, nga të gjithë njerëzit që më rrethojnë.
Rudina Xhunga: Do më tregosh pak si e ke njohur burrin tënd, do kthehemi pak në kohë. Sa vjeçe ishe?
Gruaja:Isha 17 vjeçe. Po shkoja në punë.
Rudina Xhunga: Ku punoje në atë kohë?
Gruaja:Punoja në koperativë. Më doli përpara, më kapi prej dore.
Rudina Xhunga: E kishe parë ndonjëherë?
Gruaja:Nuk e kisha parë ndonjëherë. Më pëlqeu. Thjesht si të rinjtë. Por u zhgënjeva.
Rudina Xhunga: Kur nisi zhgënjimi i parë? Kur të qëlloi për herë të parë burri?
Gruaja:Isha e dashuruar. Nuk isha as e fejuar akoma. Nuk i pëlqeu një xhest i imi.
Rudina Xhunga: Çfarë xhesti?
Gruaja:Thjesht po bënim tifozllëk për ca këngë që këndoheshin në atë kohë. Bëmë të gjithë ok. Ai më kishte parë që kisha ngritur duart edhe unë. Më rrahu në mes të brigadës.
Rudina Xhunga: Në sy të tjerëve?
Gruaja:Në sy të tjerëve.
Rudina Xhunga: Reagove ti?
Gruaja:Nuk reagova, sepse unë i kisha dhënë diçka që ai më kërcënonte gjatë gjithë kohës.
Rudina Xhunga: Çfarë i kishe dhënë?
Gruaja:Nuk e them dot se çfarë i kisha dhënë. Me atë gjë që i kisha dhënë unë, ai më kërcënonte. Të them të drejtën ishim dhe injorantë në atë kohë.
Rudina Xhunga: Me siguri ti i ke dhënë ndonjë të puthur në atë kohë dhe ke pasur frikë se mos e tregonte.
Gruaja:Edhe atë po. Prindërit e mi nuk i kam parë ndonjëherë të rrihen ose të debatojnë me fjalë të ndyra. Ai ishte nga veriu dhe kisha dëgjuar që nga ajo anë ishin fanatikë, i rrihnin gratë, ishin xhelozë.
Rudina Xhunga: Domethënë ti mendoje se të gjithë në veri rrahin gratë dhe kjo është disi e natyrshme që të të rrahin.
Gruaja: Shkova me idenë se jo do më rrahin, por duhet të ul kokën të bëj çfarë do më thotë ai dhe ashtu bëra.
Rudina Xhunga: Po pse duhet ta bëje këtë gjë? Në familjen tënde rrihej nëna jote?
Gruaja: Jo.
Rudina Xhunga: Kaq i mirë ishte ai sa ja vlente të të rrihte?
Gruaja:Për mua në atë kohë i mirë ishte.
Rudina Xhunga: Kështuqë ti shkove me bindjen se burri të rreh, se të do.
Gruaja:Po ashtu thonte dhe ai, të rreh ai që të do. Mirëpo kjo gjë u bë rrugë.
Rudina Xhunga: E mban mend kur të rrahu prap?
Gruaja:Ishte ushtar, më ka rrahur edhe kur ishte ushtarë. Kur vinte me leje në vend që të gëzohej me gruan dhe fëmijët, se kisha dhe një djalë, më rrihte. Shpesh më flisnin dhe shoqet e punës.
Rudina Xhunga: Tregoje në punë?
Gruaja:Tregoja se më shihnin të nxirë.
Rudina Xhunga: Po shoqet e punës rriheshin nga burrat e tyre?
Gruaja: Jo. E më thonin çfarë bën ti që rri akoma? Pse nuk ikën?
Unë i thoja si mund të iki, kam djalin. Ata më jepnin këshillë që ta lija djalin dhe të ikja.
Rudina Xhunga: Ku ta lije djalin?
Gruaja: Më thonin lije në shtëpi dhe ik. Po si ta lija? Unë dhe e re isha, isha 18 vjeç në atë kohë, kur kam lindur djalin. Nuk e imagjinoja sesi mund ta lija fëmijën e të ikja.
Rudina Xhunga: Ndërkohë nëna jote çfarë të thoshte?
Gruaja: Nëna ime thoshte gjithmonë që mos ti ktheja përgjigje. Ky ishte burri që ti deshe. Ul kokën, puno, bë si të thotë ai dhe mos kthe përgjigje fare. Mos ta marri vesh yt atë që ti grindesh me tët shoq.
Rudina Xhunga: I ke treguar ndonjëherë babait tënd që të rrihte burri?
Gruaja:Për herë të parë që i tregova babait tim vajta e nxirë në fytyrë, më kishte rënë me grusht, edhe në kurriz. Gjeta babain në shtëpi dhe më pyeti: Çfarë ke që qan?
Sa kohë ke kështu më pyeti. I tregova se kjo gjë ka që kur jam martuar. Atëherë babi filloi duke qarë mbi mua. Të parën gjë që do bësh, nuk do ikësh më nga shpia më tha. Do rrish këtu me mua. Po fëmijët? Fëmijët lëri atje, se janë fëmijët e tij. Mendohesha, u ula, më dha për të ngrënë bukë. Rri më tha qetësohu dhe flije mendjen se nuk do ikësh. Babai doli në kopsht dhe unë vetëm mendoja. Mendoja sesi do ti lija fëmijët, sepse ai vinte i pirë, më rrihte mua, i gjuante dhe fëmijëve. Mendoja se ai tashmë do kishte shkuar në shtëpi dhe më rrihte vajzën. Ai ngaqë më kishte mua inat, i kishte në përgjithësi femrat inat. Thonte se femra do bukë dhe dru ndryshe del nga minaret. Pastaj vesha këpucët dhe dola te porta. E lash babin duke qarë dhe i thashë se po iki. Ika në shtëpi. U shtrua ca kohë, fëmijët po rriteshin. Vazhdoi përsëri, vazhdoi me mënyra të tjera raki, bixhoz, nuk më linte të dilja në rrugë.
Rudina Xhunga: Të rrihte në sy të fëmijëve?
Gruaja:Më rrihte në sy të fëmijëve, më ofendonte në sy të fëmijëve.
Rudina Xhunga: Çfarë bënin fëmijët, 2 djem dhe një vajzë. Çfarë bënin ata kur ai të rrihte?
Gruaja:Vajza ime qante mbi mua ndërsa të dy djemtë dilnin jashtë. Hapnin derën me ngadalë dhe dilnin jashtë. Ma bënin dhe me dorë që po dalim ne, që mos ti thërrisja.
Rudina Xhunga: Ty të rrihte burri dhe ata të linin vetëm? Djemtë iknin?
Gruaja:Po dilnin jashtë se nuk e duronin dot.
Rudina Xhunga: Po vajza çfarë bënte?
Gruaja:Vajza binte mbi kurrizin tim dhe vetëm qante mbi mua. Ai më qëllonte mua, qëllonte dhe vajzën.
Rudina Xhunga: Vajza jote është rritur në dhunë?
Gruaja:Vajza ime është rritur në dhunë, edhe sot po ta pyesësh ajo thotë fëmijrinë time siç e kam kaluar unë mos e kaloftë njeri. Ajo tashmë ka fëmijët e saj dhe nëse ja cënon fëmijët ajo të vret, sepse thotë se nuk do që fëmijët e saj të rriten me dhunë, nuk do ti preket as edhe një fije floku atyre.
Rudina Xhunga: Të thotë vajza ndonjëherë pse nuk e le?
Rudina Xhunga:Jo një herë por më ka thënë 100 herë pse nuk e ke lënë. I kam thënë mami nuk e kam lënë vetëm që tju rris ju, me nënë e me baba, dmth që të mos rriteni jetim. Më thotë se kam bërë shumë gabim, po këtë gjë më thonë edhe djemtë. Mirëpo ai nuk e ndaloi as bixhozin, as rakinë. Prap më rrihte, u rritën kalamajtë, u fejuan, u martuan, më ka poshtëruar 100 herë në sy të krushqive, më ka rrahur. Më ka hedhur gotën me ujë siç e kishte përpara dhe po të flisja një fjalë, se unë nuk duhet të flisja asnjëherë, dmth këtu vendoset çfarë them unë e jo se çfarë thua ti, mos u mundo të flasësh fare se bën gabime, se nuk di të flasësh.
Rudina Xhunga: 17 vjeç, tani po bën 60. Gjithë jetën të ka rrahur burri, në sy të fëmijëve, në sy të krushqëve, në sy të të panjohurëve, në sy të komshinjve.
Gruaja:Të tregoj një gjë që do habitesh. Isha me një komshije në shtëpi, po pija kafe. Ajo kishte një djalë të vogël e më tha teta ma ngre pak volumin ta dëgjoj këtë këngën që dëgjon djali jot. Edhe unë ja ngrita. Ai kishte ardhur i pirë e i binte derës por unë nuk e dëgjoja. Të më besosh por për shpirt të nënës kur kemi ulur muzikën, dëgjuam derën dhe dola me vrap. Ai kishte nxjerr bravën, e kishte nxjerr derën nga vendi. Kur dola që hapa derën vetëm më ka futur thonjtë në fyt edhe më ka gjuajtur vetëm me grushta. Nga korridori më ka përplas te divani në guzhinë dmth ishte një distancë 7 metra deri kur përfundova me kokën në mur në divan.
Rudina Xhunga: Brenda ishte komshija dhe djali i vogël?
Gruaja:Brenda ishin. I mbylli sytë djalit të saj, ja mbylli me duar dhe ka zbritur nga shkallët, nuk e pashë fare sesi është ulur poshtë. Atëherë kam rënë përtokë pa ndjenja. Është afruar afër meje, më ka rënë me shkelma. Ca bëje ti që nuk e hapje derën? Unë kujtova se mos ishe me ndonjë burrë tjetër brenda. Më ka lënë shakull, ka dalë përjashta, pastaj ka ardhur komshija, është ngjitur lart, më ka bërë ajo shërbim, më dha ujë, më bëri kafe, qante ajo mbi mua, qante edhe djali. Djali edhe sot që është i madh po ta pyesësh i thotë nënës së vet: Më kujtohet ajo ngjarje mami dhe dua ta di si është. Ajo zonja sa herë e takoj më hedh duart në qafë dhe direkt vetëm qan. Nuk e harroj atë moment thotë, kokën e përplasur mbi murë. Pastaj u rritën fëmijët, u martuan, ai po atë punë vazhdoi derisa arriti një ditë, doli dhe më rrahu në rrugë. Po shkoja për të prerë flokët, afrohet, më dëgjoi që thashë se do shkoj për të prerë flokët. Më thotë: Mos bë gabim të dalësh në rrugë se unë në rrugë do të vras.
Rudina Xhunga: Kishe bërë sherr atë ditë?
Gruaja:Jo unë nuk i flisja fare, kisha pesë vjet që nuk i flisja me gojë.
Rudina Xhunga: Pesë vjet nuk i fole burrit?
Gruaja:Ja bëra të qartë që me mua nuk do të kesh asnjë lloj diskutimi, asnjë lloj fjale, asnjë lloj afrimiteti. Për mua në shtëpi je thjesht si një i huaj. Si të duash ose rri ose ik, i kam thënë. Jo një herë por ja kam thënë dhjetra herë. Ja bëra të qartë edhe fëmijëve, atëherë u afrua djali madh e më tha: Pse bën kështu? Ti je moshë e madhe? Është turp për ne tani. Ju përgjigja: Dëgjo nënën, kam jetuar për të tjerët 35 vjet, kam jetuar për tju rritur me një baba shumë të keq sesa e imagjinoni juve dhe unë tani them stop. Tani unë edhe sikur 3 ditë të jetoj, unë dua të jetoj vet. Jeta është e imja. Sikur është jeta e atij është edhe e imja.
Rudina Xhunga: Si e more këtë guxim, që nuk e ke pasur një jetë ?
Gruaja: Duke menduar me vete, duke parë gra të tjera edhe në emisione, i thashë vetes mblidhe mëndjen dhe ke respekt për veten tënde. Kur më foli atë ditë në oborr i thashë vetes, pse duhet të shmangem, pse nuk duhet të shkoj të pres flokët, unë nuk po bëja asgjë të keqe, thjesht po shkoja të prisja flokët. Atëherë ka dalë në rrugë, më ka goditur me grushte në mes të rrugës, më ka përplasur, më ka hedhur në kanal. Aty mu morën mendt, nuk e mora vesh se ku isha, ku nuk isha. Kam arritur jam ngritur, aty u mblodh e gjithë lagja. U ngrita dhe ju hodha një taksie përpara. I jam hedhur që të më shtypte. Ai djali e ndaloi taksinë, i rashë xhamit mesa fuqi kisha. Isha e zbathur, nuk e di se nga më kishin ikur edhe këpucët. I thashë të më fuste brenda, mirëpo ai i kërcënonte njerëzit që nga ana tjetër e rrugës.
Rudina Xhunga: Nuk të afrohej njeri, nuk të erdhi njeri të ndihmonte?
Gruaja:Nuk e hapi derën taksisti, shkova dhe u futa në një dyqan. Kur u afrua tek dyqani që të më rrihte përsëri, atëherë ajo vajza i tha: Kur të shkelësh mbi kufomën time do ta prekësh zonjën. Aty pastaj erdhi policia.
Rudina Xhunga: Kush e thirri policinë?
Gruaja: Policinë e ka njoftuar lagja. Erdhi edhe taks forca edhe policia, kanë ardhur 4 makina policie. E pyetën se çfarë kisha dhe ai u përgjigj se këtë zonjën e rraha unë, por jam nxituar pak, i kam rënë pak shumë. E morën policët, më morën edhe mua, më pyetën, më mbajtën deri në 12 të natës. I kërkova urdhër mbrojtje policisë.
Rudina Xhunga: E dije ti se çishte urdhri mbrojtjes?
Gruaja: Po i dija se kisha filluar të kërkoja edhe unë.
Vetëm një lutje kam ose një mesazh për të gjitha gratë. Nuk mund ti nxihet jeta një gruaje me një burrë të keq për fëmijët. Unë nuk e di si janë të tjerat, por mua fëmijët e mij absolutisht nuk më besojnë. Edhe pse bëra ndarjen, bëra ndarjen se nuk e duroja dot më, të poshtërohesha në atë lloj mënyre. Unë e di se nuk kam gabuar në asnjë mënyrë, vetëm një mesazh u jap femrave: Një shpullë, pastaj vjen bëhet dy, tre, pesë, jeta nuk vazhdohet me një njeri që ka dorë, aq më keq nëse pi alkol, loz bixhoz, të tëra këto të këqija.
Mua që po më dëgjoni këtu, jam pa shtëpi, jam pa punë, jam e torturuar për 35 vjet, jam e paveshur, jam vetëm me rroba të falura.
Nuk ja vlen të të nxihet jeta pej fëmijëve, mund ti mbajnë vet sepse mund ti edukojnë edhe më mirë sepse fëmija nën terror rritet më keq. Fëmijët mund të ndjekin edhe rrugën e babait, nëse janë djem e mund të rriten me idenë se kështu qenka të rrahësh gruan, kështu qenka të rrahësh fëmijën.
Rudina Xhunga: Djali yt e rreh gruan?
Gruaja: Edhe e ka rrahur.
Rudina Xhunga:Çfarë i ke thënë kur e ka rrahur?
Gruaja:I kam thënë se nëse ti vazhdon edhe i gjuan gruas, edhe sidomos në syrin tim, mos guxo sepse do përfundosh si babai jot. Mos guxo të prishësh familjen, mos ngri dorë mbi familjen. Nëse do të kesh një familje të shëndoshë dhe për një kohë të gjatë mos ngri dorë.
Rudina Xhunga: Burri yt ka marrë dënim maksimal. Ju është bërë presion përpara se të dënohej, që ti të shkoje e të thoje se nuk më ka rrahur, nuk ka ndodhur gjë?
Gruaja: Po nga familja, por edhe tani sikur të ndodh unë nuk tërhiqem.
Rudina Xhunga: Po frikë ke ?
Gruaja:Po kam.
Rudina Xhunga: Nga se ke frikë? Kur dëgjon që vrasin burrat?
Gruaja: Kur dëgjoj që vriten gratë, kam frikë. Jetoj me frikë.
Rudina Xhunga: Ça mendon?
Gruaja: Pothuajse e mendoj përditë se do më zërë pritën dhe do më vrasi.
Rudina Xhunga: E di që nuk të mbron njeri?
Gruaja: Për të më mbrojtur e di që nuk më mbron njeri.
Rudina Xhunga: Po si e ke zgjidhur me vete këtë frikën?
Gruaja: E kam zgjidhur dhe kam thënë le të më vrasi. Kështu i kam thënë dhe familjes që më kanë detyruar të shkoj të heq denoncimin. Sikur 3 ditë të jetoj, unë denoncim nuk tërheq, kur të dal le të më vrasi, ai prap atje do të kalbet. Le të më vrasi.
Rudina Xhunga: Të vjen keq që ske jetuar fare?
Gruaja: Më vjen shumë keq. Më vjen shumë keq për rinin time dhe më vjen shumë keq për jetën time. Për këtë bëj thirrje, se jeta njëherë vjen dhe atë duhet ta jetosh. Mua më duket sikur nuk kam jetuar hiç. Më është dukur jeta shumë e shkurtër, nuk kam parë ndonjë gjë të mirë që të jem e lumtur.
Rudina Xhunga: Ka gjithmonë një moment që ja nis nga e para, ty mbase të nis tani, 60 vjeç jeta. E di këtë gjë?
Gruaja: Nuk besoj. Kam dëshirë për çdo gjë në jetë. Kam dëshirë të vishem, kam dëshirë të dal, kam dëshirë të shëtis, kam dëshirë të ushqehem mirë, kam dëshirë të punoj, vetëm që të kem burrë pranë vetes, këtë nuk e dëshiroj. Vetëm këtë jo. Të e marr për keq kush të dojë.
Rudina Xhunga: Unë të falënderoj që folëm bashkë. U preka prej teje, e di që shumë njerëz që na kanë ndjekur janë prekur gjithashtu. Por ti nuk je e vetmja, je nga të paktat që tregove, por nuk je e vetmja. Njerëzit nuk flasin se kanë turp, turp është të mos flasësh.
Gruaja: Duhet të denoncojnë. Turp është të torturosh veten, kjo është turp, të torturosh veten për vite me rradhë. Kështu më thonë dhe disa njerëz se duhet të kem turp që kam jetuar në këtë mënyrë, që je trajtuar në këtë mënyrë. Çfarë jete mund ti thuash asaj? Të rrihesh gjithë kohës, të rrish me frikë obobo se po vjen burri, të rrish me frikë kur të nderësh rrobat, të rrish me frikë kur ti flasësh një njeriu në rrugë mirmëngjes. Jo kjo nuk është jetë.
Top Channel