Pezullohet futbolli në Egjipt

09/02/2015 00:00

Autoritetet egjiptiane vendosën pezullimin e të gjitha ndeshjeve të ligës vendase të futbollit për një periudhë kohe të papërcaktuar pas përleshjeve të dhunshme që shpërthyen të dielën në një stadium të Kajros duke përfunduar me bilancin tragjik të 22 të vdekurve.

Një pjesë e viktimave u shtypën nga turma kur policia përdori gazin lotsjellës kundër mbështetësve të Zamalek-ut, të cilët po përpiqeshin të hynin me forcë në stadium për të parë ndeshjen me skuadrën rivale të kryeqytetit, ENPPI.

Tifozët fajësojnë autoritetet për fatkeqësinë me pretendimin se hapën vetëm një portë, çka shkaktoi sipas tyre të gjithë pështjellimin.

Një fletë-arresti është lëshuar për liderin e grupit të tifozëve të Zamaleku-t, të njohur si “Kalorësit e Bardhë”. Hera e fundit që janë pezulluar ndeshjet e ligës së futbollit në Egjipt ka qenë në vitin 2012, kur nga përleshjet po për shkak të një ndeshjeje në Port Said humbën jetën 74 vetë.

Pavarësisht dhunës së shpërthyer në stadiumin e Mbrojtes Ajrore në Kajro, ndeshja u zhvillua e plotë.

Tifozët egjiptianë të futbollit shpeshherë janë thellësisht të politizuar e një pjesë e tyre luajtën rol të rëndësishëm në përmbysjen e ish-presidentit Hosni Mubarak gjatë revolucionit të vitit 2011. Mes këtyre të apasionuarve të ethshëm pas futbollit dhe forcave të sigurisë ka një histori të gjatë tensionesh, ndaj nuk përjashtohet mundësia e përplasjeve të tjera të dhunshme gjatë ditëve në vazhdim.

Top Channel