Ancelotti merr përsipër përgjegjësinë: Reali më i dobët i ditëve të mia

08/02/2015 00:00

Atletico mposhti thellësisht Realin e Madridit në derbin e vlefshëm për La Liga, në një ndeshje ku ekipi i Carlo Ancelottit u shpërfytyrua thuajse tërësisht. Si ndihet trajneri italian pas një rezultati 4-0?

“Duhet të lejojmë një periudhë reflektimi, të na qartësohen mendimet. Kjo ka qenë ndeshja më e keqe e zhvilluar, që kur kam ardhur në krye të Realit të Madridit, e gjithsesi unë marr përsipër të gjitha përgjegjësitë. Asnjë lojtar i skuadrës sime nuk ka bërë një lojë të pranueshme dhe të mjaftueshme, askush. Por, e përsëris sërish, përgjegjësi jam unë. Duhet të ndalemi dhe të reflektojmë, të kuptojmë këtë moment dhe pengesat që kemi, e të rinisemi sërish, pasi sezoni tashmë hyn në fazën e tij më të nxehtë, ku nuk mund të gabosh të tilla ndeshje”, është shprehur pas humbjes Ancelotti.

E gjithë media spanjolle, e veçanërisht kritika, ka qenë tepër e ashpër ndaj “shtëpisë” së Realit. Një tjetër reagim ka ardhur edhe nga ylli i kësaj skuadre, Cristiano Ronaldo. “Reali nuk mund të humbasë 4-0 ndaj askujt, e përsëris ndaj askujt. Nuk e di, por ishim inferiorë në të gjitha aspektet: qoftë fizikisht, si nga vendosmëria, ashtu edhe në aspektet tekniko-taktike. Nuk ka justifikim për këtë humbje”, është shprehur portugezi.

Sa i përket anës tjetër të medaljes, nga “shtëpia” e Atleticos është Tiago, ai që ka folur. “Kjo ishte ndeshja e radhës, kur është nxjerrë në pah zotësia e trajnerit tonë Simeone. Ndeshja është luajtur siç e kishte përgatitur ai, ashtu siç na kërkoi ai të luanim.  Jemi shumë të lumtur, pasi këto 4 gola na japin moral dhe stimuj, e për më tepër janë 3 pikë që kemi rikuperuar ndaj Realit sa i përket luftës për titull kampion”.

Top Channel