Trafiku i drogës, arrestohen majori dhe kapiteni, bashkëpunëtorë të pilotit Feka

05/02/2015 00:00

“Prej orësh në ambientet e Policisë Ushtarake po mbahen dy ushtarakë, që i përkasin Regjimentit të Farkës. Kolegë me Sokol Fekën, i cili humbi jetën gati një javë më parë në Spanjë, teksa po transportonte gati një ton hashash nga Maroku për në Spanjë”.

Pa asnjë emër dhe pa një vepër konkrete, me këtë njoftim zyrtar Ministria e Mbrojtjes njoftoi publikun se një major dhe një kapiten janë ndaluar nga Policia Ushtarake për thyerje të rëndë të disiplinës, si të dyshuar për lidhjet e tyre me majorin Sokol Feka.

Por Ministria e Mbrojtjes i dha karakter ushtarak sekretit, duke mos thënë se çfarë shkeljeje të ligjit penal dhe ushtarak kanë kryer konkretisht dy ushtarakët. Megjithatë, duke folur në anonimitet, zyrtarë të Policisë Ushtarake i thanë Top Channel se dy të ndaluarit janë majori H. Koxha dhe kapiteni V. Ademi.

Identiteti i ushtarakëve të ndaluar do të duhet të konfirmohet në orët në vijim edhe nga Prokuroria, e cila ende nuk e ka lexuar dosjen e dorëzuar nga Ministria e Mbrojtjes, për shkak se kallëzimi është dorëzuar rreth orës 17 të ditës së enjte.

Aktualisht dosja është depozituar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe pritet të ketë një version edhe nga organi i akuzës, pasi mësohet se kallëzimi është kryer për dyshimet e trafikut të narkotikëve.

Jo zyrtarisht mësohet se ndalimi i dy ushtarakëve është bërë, pasi ata kanë patur dijeni për lëvizjet e majorit Sokol Feka dhe nuk kanë raportuar. Top Channel ka konfirmuar se të dy ushtarakët nuk janë ndaluar me urdhër të Prokurorisë dhe as me një vendim gjykate, çka do të vendosë në pikëpyetje edhe veprën penale që do t’u adresohet atyre.

“Në rastin e dy ushtarakëve të Regjimentit të Farkës, nuk është ndjekur procedura standarde sa herë kemi arrestime, shoqërime apo ndalime, të cilët në çdo rast i dorëzohen Policisë së Shtetit, në rastin konkret do të duhet t’i dorëzoheshin Policisë së Tiranës”.

Ndërkohë, gjatë ditës së enjte, dy ushtarakë të tjerë Destan Shehu dhe Hajdar Nako janë përjashtuar nga radhët e Forcave ta Armatosura, pasi Ministria e Mbrojtjes ka konstatuar se ata janë larguar jashtë vendit pa leje, por asnjëri nga këta emra nuk ka lidhje me episodin Feka.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura kanë nisur një verifikim në shkallë kombëtare për të parë nëse ka raste të tjera të largimeve pa leje dhe në kundërshtim me rregullat, sikurse është rasti i dy shtetasve Shehu dhe Nako, të cilët janë larguar pa leje dhe jashtë vendit”.

Top Channel