Zgjedhjet që vijnë sikur nuk janë tonat

01/02/2015 00:00

Aleksandër Çipa – Kanë mbetur pesë muaj kohë për të mbërritur në datën e dekretuar të zgjedhjeve vendore në Shqipëri.

Janë zgjedhjet me më tepër rëndësi dhe me më tepër lidhje me fatin dhe përditshmërinë e qytetarëve të vendit. Këto janë zgjedhje që ngjasin në një kohë dhe situatë me më shumë probleme dhe ndryshime se të gjitha turet e mëparshme zgjedhore të zhvilluara në këto 24 vitet e fundit. Ka ndryshuar së pari harta e ndarjes administrative të vendit. Është reduktuar në masën më të madhe të mundshme numri i njësive administrative. Pretendimet dhe gara për t’i fituar individët kandidatë dhe forcat politike këto njësi, janë më të mëdha dhe pse jo me mundësinë e një përplasjeje shumë herë më të madhe se më parë. Për secilën njësi kemi shifra elektorale që ngjasin me qytetet më të mëdha në vend. Tashmë kandidatët që do të pretendojnë fitoren e qeverisjes së njësive vendore do të jenë politikisht dhe administrativisht më të fuqishëm se sa deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Kjo hartë ka ndryshuar çdo formulë dhe gjithë skemat e konkurrimeve, pretendimeve dhe sidomos arritjen e marrëveshjeve mes partive dhe titullarëve të plotfuqishëm të tyre. Sidoqoftë, këta të fundit këtë vështirësi dhe gjithë problematikën e këtyre ndryshimeve radikale e kanë eklipsuar gjer në ditën e parë të shkurtit, jo pa qëllim.

Në kohën e mbetur nga data e zgjedhjeve, nuk mund të përballohen të gjitha. Po grumbullohen përditë e çdo orë probleme serioze. Fushata zgjedhore do nisë dhe udhëtojë përgjatë ditëve të mbetura, duke na mbajtur në një ndjesi krize dhe rënie besimi, në një terren e klimë komunikimi si në pikun e tranzicionit. Kjo vlagë e gjuhës dhe tërbimit alla-Berishë në Parlament, në Bashki, në foltoret e zëdhënësve partiakë e gjetkë, po mbulon dhe eklipson nevojën për të dalë e para e drejta e qytetarëve.

Kjo diaboli politike po na ha kohën e mbetur në kapitullin për selektim, propozim apo qoftë edhe konkurrim utopik për ata që do të vijnë në qeverisjen e re të njësive tona vendore. Mirëpo ata që qeverisin, duke qenë agresivë dhe antagonistë deri në patologji me njëri-tjetrin, por ripërdorin të njëjtën skemë tranzicioni për formulën e kandidatëve dhe përzgjedhjen e tyre.

Nuk po na lënë kohë fare për të pasur një mundësi që qytetarët të parashprehen se cilët mund të jenë njerëzit që kanë më shumë merita reale për të marrë në dorë fatin e qeverisjes së pushtetit vendor. Po e sjellin momentin dhe skemën, sikundër e kanë risjellë më parë, te tryezat kokë më kokë të udhëheqësve, grupeve të interesit dhe aleatëve që sajojnë dhe saldojnë koalicionet.

Koha e paktë e mbetur po na jep gjithë provat se koha e mandatit të qeverisësve të gjertanishëm në pushtetin vendor ka përfunduar. Vëreni si është katandisur çdo qytet i Shqipërisë së këtyre ditëve? Shihni ç’po ngjet nëpër gjithë vendin? Loja për luftën e pretenduesve, kandidatëve, qeverisësve që kanë dy apo tri mandate, ka nisur dhe po gjeneron në heshtje çdo ditë skenarë të pareshtur. Dje, Shqipëria u gjend nën masën e madhe të ujit që vërshoi nga lumenjtë dhe u lëshua prej qiellit. Përmbytje dhe errësirë në shumë skaje, sidomos në zonat malore dhe ato periferike. Një kosto e re dhe rënie edhe më shumë në trishtimin e ngjashëm me fillesën e viteve 1990, sikundër edhe me kohët e mbrapshta të tranzicionit. Errësirë energjetike në shumë fshatra, në shumë zona dhe lëndime sociale të cilat e bëjnë edhe më fakir shtetin dhe administratën e vendit. Por dobësia e parë e kësaj gjendjeje të pazakontë, shfaqet si paaftësi dhe mekje e qeverisjes vendore. Ajo duhej të ishte shumë herë më e aftë për të përballuar ndryshe kësi përmbytjesh dhe kësi stuhish. Por koha e stuhishme, mesa duket të parën gjë që shemb, është fasada e kësi qeverisjesh dhe qeverisësish që ngjiten në statusin e milionerëve të fshehur gjatë ditëve të mandateve të tyre dhe sillen si babaxhanët e lagur nga pazotësia për të “mbuluar qiellin”.

Kjo tablo është e ngjizur kohë pas kohe në jetën e shqiptarëve, por realiteti zgjedhor ricikliohet për faj dhe përgjegjësi të tyre.

Zgjedhjet e 21 qershorit 2015 janë zgjedhje për të qeverisur qytetarët dhe njësitë e tyre ku jetojnë, punojnë dhe gjenden. Kjo provë kësaj here duhet të jepet ndryshe. Modelet nuk kemi dashur t’i fitojmë, sikundër kemi pranuar fatin e ndenjur për të pranuar atë që do të caktojë dhe emërojë si në njërën palë, ashtu edhe në tjetrën “doktori” apo “piktori” apo Luli apo Meta…

Këto zgjedhje janë tonat dhe mos i shihni si të huaja. Në të kundërt, po rrezikojmë të biem me shpejtësi në fatin e Kosovës. Mbrëmjet dhe pasditet e Prishtinës janë kthyer në pelegrinazh ikjesh e përcjelljesh në stacionin e autobusëve. Ky ritual trishtues e dramatik ka mbërritur edhe këtu. Zbrisni në viset e qendrave dhe qyteteve të Veriut dhe Jugut të vendit dhe braktisja sociale apo tendenca për ikje në vise të huaja po rizgjohet dhimbshëm. Këto ikje po shtojnë edhe braktisjen elektorale, sikundër kjo është tendenca tjetër që rrezikon zgjedhjet bashkë me bojkotin e mundshëm.

Kjo klasë politike nuk mund të lihet në aplikimin e skemës së saj të tranzicionit dhe praktikës zgjedhore të trashëguar në këtë epokë. Pesë muaj të mbetur janë arsye e mjaftueshme që të zgjojnë shoqërinë civile, individët dhe zërat e lirë të kësaj shoqërie, për të mos lejuar që kartat e firmosjes së kandidatëve të lihen në zyrat e kryetarëve, por të zgjidhen nga banorët dhe përcaktohen prej qytetarëve. Në emër të demokracisë së paralizuar, duhet të lëvizin të gjithë, sepse këto zgjedhje janë arsye për ta shumëfishuar ose për të mpakur peshën e krizës që ka mbërritur pas xhepit, plotësisht edhe në shpirtin dhe besimin e njerëzve.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel